Vazhdon gjykimi për rastin “Puls”, u prezantuan prova materiale dhe transkripta
Pas gati tre orësh vonesë...

Pas gati tre orësh vonesë, të ndjekura me reagime të prindërve të fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan më 16 mars 2025, i akuzuari i parë, pronari Dejan Jovanov, u soll në sallë nga burgu i Kumanovës.
Në fillim gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska njoftoi se prokurori i shtetit, Nenad Saveski, nuk gjeti baza për përjashtimin e prokurores Natasha Saramandova nga ekipi që përfaqëson akuzën për “Pulsin”.
Në sallën gjykuese në Idrizovë, Prokuroria paraqiti prova të reja materiale dhe transkripta të bisedave telefonike në vazhdimin e gjykimit për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan.
Dokumentet e prezantuara përfshijnë materiale nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, të cilat, sipas Prokurorisë janë të rëndësishme për përcaktimin e përgjegjësisë për zjarrin, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjetër u lënduan. Sipas Prokurorisë, provat synojnë të vërtetojnë mënyrën se si ka funksionuar lokali, nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe kush mban përgjegjësi për tragjedinë.
Në seancat e kaluara u prezantuan dokumente, që, sipas akuzës, tregojnë se diskoteka kishte punuar edhe pse nuk i plotësonte kushtet minimale teknike për funksionim.
Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë.
Ata ngarkohen me vepra penale që lidhen me zjarrin, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Gjykimi pritet të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme me paraqitjen e provave të tjera. (Sanije Duraku, TVM2)
