Maqedoni
Maqedonia-vend transit i emigrantëve aziatikë, 500 emigrantë në Qendrën e Pranimit në Gazi Babë
12.06.2015 17:04
Maqedonia vazhdon edhe më tej të jetë vend transit i emigrantëve dhe refugjatëve nga vendet aziatike, megjithëse së fundmi janë ankuar për trajtim joadekuat...

Pas aksionit të madh policor në Vaksincë të Kumanovës dhe arrestimit të 120 emigrantëve të huaj në këtë fshat, numri i përafërt i emigrantëve në Qendrën për Pritje në Gazi Babë u rrit në rreth 500 persona.
Objektivi i TVM-2 filmoi pamje të mjerueshme. Dritare përplot me njerëz dhe të mbyllura me dry dhe zinxhirë. Në pamundësi për të na dhënë intervistë, ata u rrëfyen dhe kërkuan ndihmë institucionale prej dritareve të këtij institucioni.
“Kërkojmë të na mbështesni! Duam mbështetje nga mediat dhe nga qytetarët! Vetëm ju mund t’i bëni presion qeverisë! Ne kemi ardhur vetëm transit në Maqedoni, nuk kemi ndërmend të rrimë këtu. Kemi ikur nga vendet tona për të shpëtuar nga lufta dhe ata na mbajtën këtu, kot. Vetëm sepse mafia na e preu rrugën, nuk kanë arsye të na mbajnë këtu. Duam mbështetjen tuaj që të na nxirrni prej këtu! Jemi 400 njerëz këtu brenda. Ka fëmijë dhe pleq këtu, kemi njerëz të sëmurë, por askujt nuk i intereson. Të gjithë heshtin dhe nuk bëjnë asgjë për ne. Duam dikush të na mbështesë dhe ju mund të jeni mbështetja për ne”- u shpreh një refugjat.
Banorë të Gazi Babës së Shkupit, të cilët nuk deshën të prononcohen para kamerës, thonë se në këtë Qendër për Pritje të Personave të Huaj Ilegalë gjatë dy ditëve të fundit dëgjohen britma të mëdha. Por, ata shprehen të pafuqishëm t’u dalin në ndihmë edhe pse shpeshherë refugjatët arratisen deri në oborret e tyre.
Emigrantët në këtë qendër kërkojnë zgjidhje urgjente, sepse kushtet në të cilat qëndron janë të papërballueshme.
Ata në të shumtën e rasteve këtu vonohen edhe nga 3-4 muaj, për shkak se janë dëshmitarë të procedurave gjyqësore për trafikimin e emigrantëve në Maqedoni.
Po ashtu dhjetëra emigrantë kanë humbur jetën në Maqedoni, pasi janë goditur nga treni në aksin hekurudhor Veles-Shkup.
REXHEP QAMILI
