VLEN ka konfirmuar emrat e ministrave të përbërjes së re Qeveritare
Pas mbledhjes së presidencës së VLEN-it të mbajtur sonte...

Pas mbledhjes së presidencës së VLEN-it të mbajtur sonte, nga kjo parti kanë konfirmuar propozimet për ministra që do të jenë pjesë e Qeverisë së vendit.
Kështu, për postin e ministrit të Drejtësisë ata kanë propozuar profesorin universitar Jeton Shasivari, ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive kanë propozuar Agon Feratin, ndërsa për ministër të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmanin.

Në përbërjen e re qeveritare nga VLEN bëjnë të ditur se Bekim Sali do të vazhdojë të ushtrojë detyrën si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, njëjtë sikurse edhe Besar Durmishi, që vazhdon në postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, si dhe Muhamet Hoxha, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“VLEN vazhdon me vendosmëri rrugën e ndryshimit, duke sjellë energji të re, kuadro profesionale dhe një qasje të përgjegjshme në qeverisje. Me këtë ekip, VLEN rikonfirmon përkushtimin për reforma, zhvillim dhe përfaqësim dinjitoz të interesave të qytetarëve.” – qëndron në njoftimin e VLEN në faqen e tyre zyrtare.

