Maqedoni
Gjykimi ndaj ish-gjyqtarit, Gjoko Ristov, ekspertiza e ADN-së në qendër të debatit
02.07.2026 14:04
Në Gjykatën Penale të Shkupit vazhdoi gjykimi ndaj ish-gjyqtarit të Apelit...

Në Gjykatën Penale të Shkupit vazhdoi gjykimi ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, i cili në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur. Në seancë u morën në pyetje nga mbrojtja ekspertët që kryen analizat e ADN-së, të cilët paraqitën dhe argumentuan edhe një herë gjetjet e tyre. Sipas ekspertizës, në foliot e aluminit ku ishin mbështjellë paratë janë identifikuar gjurmë biologjike të të pandehurit. Prokuroria vlerësoi se ekspertiza mbështet aktakuzën.
"Vazhdoi gjykimi për këtë rast dhe në seancën e sotme u prezantua pikërisht ajo provë, me kërkesë të mbrojtjes, e cila është një e drejtë e padiskutueshme e saj. U morën në pyetje ekspertët, të cilët paraqitën gjetjet dhe mendimet e tyre. Veçanërisht me rëndësi dhe ajo që ngjall interes në opinion, është analiza e ADN-së e gjurmëve biologjike. Në thelb, Prokuroria është e kënaqur me atë që u prezantua në seancën e sotme, pasi u konfirmua në mënyrë të padiskutueshme dhe u shpjegua se si janë arritur këto prova dhe rezultate dhe çfarë nënkupton analiza e ADN-së. Kjo është faza e shqyrtimit kryesor, në të cilën në thelb duhet të diskutojmë për provat. Fatkeqësisht, edhe një herë po parashtrohen kundërshtime procedurale, të cilat nuk kanë asnjë kuptim dhe asnjë bazë në këtë fazë të procedurës. Për këtë arsye, Prokuroria vlerëson se bëhet fjalë për një përpjekje për zvarritjen e procedurës.", - deklaroi prokurorja, Iskra Haxhivalievska.
Mbrojtja ndërkohë konteston mënyrën se si janë administruar dhe ekspertizuar provat. Avokati mbrojtës Zvonko Davidoviq vë në pikëpyetje procedurën e ekspertizës së gjurmëve të ADN-së, zinxhirin e ruajtjes së materialit provues dhe dokumentimin e veprimeve të kryera me provat. Sipas tij, Prokuroria nuk ka kryer ekspertizë vetë paratë, që janë objekti kryesor i kësaj lënde, por vetëm foliot e aluminit në të cilat ato ishin mbështjellë. Ai ngre dilema edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur mostrat për ekspertizë, si dhe për mungesën e procesverbaleve që, sipas tij, do të duhej të dokumentonin hapjen dhe mbylljen e materialit provues.
"Është interesante që Prokuroria asnjëherë nuk i nënshtroi ekspertizës paratë, pra atë që është thelbi i kësaj lënde, por vetëm foliot e aluminit. Dhe si u bë kjo? Siç tha vetë eksperti, atij i ishin dorëzuar vetëm copa të folios së aluminit, ndërkohë që nga incizimet e patë se bëhej fjalë për foli të plota alumini. Pyetja është se kush vendosi se cila copë do t'u dorëzohej ekspertëve? Mbi cilën pjesë punuan fillimisht ekspertët e analizës së ADN-së dhe më pas ata të daktiloskopisë? Gjithashtu, nga dokumentacioni mund të shihet qartë se më 18 janar materiali është sjellë në Shkup dhe është vendosur në kasafortën pranë MPB-së, institucion që nuk ka kryer fare ekspertizat. Ndërkaq, sipas provave që disponon Prokuroria, më 16 mars ai material është hapur, por unë nuk shoh asnjë procesverbal për hapjen dhe mbylljen e tij, një dokument i tillë nuk gjendet në lëndë. Paratë janë nxjerrë dhe i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar. A nuk ju duket e dyshimtë që, gjatë atyre 80 ditëve, materiali provues është hapur, pa e ditur askush se çfarë ka ndodhur me të dhe si është vulosur më pas, ndërsa ekspertizat janë kryer vetëm mbi copa të folios së aluminit?", - theksoi avokati mbrojtës, Zvonko Davidoviq.
Përndryshe, gjykimi ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, nisi më 28 maj. Ai akuzohet për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, pasi sipas Prokurorisë, në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur. Ristovi i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se paratë ishin të prindërve të tij, ndërsa Prokuroria thotë se disponon prova që e lidhin atë me këto mjete financiare.
REXHEP QAMILI
