Maqedoni
Armata drejt modernizimit të plotë, vijojnë investimet në pajisje ushtarake
02.07.2026 14:14
Modernizimi i Armatës së Maqedonisë së Veriut po vazhdon me pajisje dhe armatim të ri....

Modernizimi i Armatës së Maqedonisë së Veriut po vazhdon me pajisje dhe armatim të ri. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, bëri të ditur se kanë mbërritur të gjitha automjetet taktike JLTV, ndërsa të hënën në portin e Selanikut pritet të arrijnë edhe automjetet e blinduara "Stryker". Me këtë, deri në fund të muajit pritet të përmbyllet kontrata me Shtetet e Bashkuara, me vlerë rreth 339 milionë euro. Përveç automjeteve, janë nënshkruar kontrata edhe për sistemet kundërtanke "Javelin", dronët "Puma" dhe "Raven", pajisje për mbrojtje kibernetike, radio-komunikim dhe modernizimin e Qendrës Simuluese në Veles. Ndërkohë, vazhdon edhe trajnimi i pilotëve dhe teknikëve për helikopterët e rinj nga kompania italiane "Leonardo", dy prej të cilëve pritet të mbërrijnë deri në fund të vitit.
“Kemi filluar procesin se si t'u ndihmojmë të gjithë ushtarëve që mbushin 45 vjeç. Së bashku me Shtabin e Përgjithshëm kemi përgatitur një zgjidhje që ua kemi prezantuar sindikatave dhe në periudhën e ardhshme do të bisedojmë me të gjitha palët nëse nevojiten ndryshime ligjore ose organizative. Qëllimi është që këta njerëz të mbeten pjesë e Armatës, sepse ata kanë vlerë dhe e meritojnë të vazhdojnë shërbimin.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Ministri tha se po zhvillohen edhe bisedime me sindikatat për një kontratë të re kolektive, e cila do të përfshijë edhe rritjen e pagave për pjesëtarët e Armatës. Ai shtoi se këtë vit janë regjistruar rreth 1.700 aplikime për ushtarë të rinj. Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Sashko Llafçinski, Armata ka shënuar progres të rëndësishëm edhe në aspektin operacional, me realizimin e dhjetëra stërvitjeve dhe arritjen e standardeve të NATO-s. Ai theksoi se po punohet edhe për rikthimin në funksion të krahut ajror.
“Kjo është diçka që për dekada është lënë pas dore. Së bashku me Akademinë Ushtarake besojmë se do ta funksionalizojmë katedrën, por para së gjithash duhet t'i riparojmë këto dy modele avionësh që janë pjesë e krahut ajror. Kemi dalë nga pika e vdekur në të cilën ndodhej WING-u dhe tani kemi një plan të qartë se si t'i përmirësojmë gjërat.”, - theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Sashko Llafçinski.
Llafçinski shtoi se me servisimin e flotës ekzistuese dhe ardhjen e helikopterëve të rinj, Armata po forcon kapacitetet e saj dhe ndërveprueshmërinë me aleatët e NATO-s.
ERSAN PAJAZITI
