Ekonomi
Raporti i Ministrisë së Financave, Dimitrieska Koçoska: Financat publike u stabilizuan
02.07.2026 14:26
Financat publike janë stabilizuar dhe investimet do të mbeten prioritet i Qeverisë edhe në periudhën e ardhshme....

Financat publike janë stabilizuar dhe investimet do të mbeten prioritet i Qeverisë edhe në periudhën e ardhshme. Kështu deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, gjatë konferencës për media me rastin e raportimit për dy vitet e punës së institucionit. Sipas saj, borxhi publik në tremujorin e parë të vitit 2026 ka zbritur në 58.9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, nivel që, siç tha ajo, është më i ulët se parashikimet në fillim të mandatit. Ministrja theksoi se Qeveria ka ndryshuar qasjen ndaj investimeve publike, duke financuar vetëm projekte të përgatitura dhe me ndikim afatgjatë.
“Sot fondet publike nuk shpërndahen më në mënyrë të pakontrolluar, por drejtohen vetëm drejt projekteve që janë të përgatitura, ekonomikisht të arsyetuara dhe që sjellin përfitimin më të madh për qytetarët dhe shtetin. Përmes Komitetit për Investime Publike kemi vendosur një qasje të re, me qëllim që çdo euro nga buxheti të investohet në mënyrë efikase dhe të japë rezultate konkrete.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja njoftoi se janë harmonizuar tarifat doganore për 70 lëndë të para me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa për kompanitë vendore janë siguruar 250 milionë euro kredi me kushte të favorshme. Po aq mjete janë ndarë edhe për financimin e projekteve kapitale në komuna. Ajo bëri të ditur se Ministria po punon për ndryshime në legjislacionin tatimor, një ligj të ri doganor dhe digjitalizimin e proceseve financiare. Ndërkohë, sipas saj, zbatimi i sistemit OECD Pillar 2 do të sjellë të ardhura shtesë në buxhet dhe do të forcojë luftën kundër konkurrencës së pandershme tatimore.
"Realizuam tetë nga gjithsej 22 hapat reformues që shteti ka përmbushur deri më tani, që do të thotë se 36 për qind e reformave të realizuara janë në përgjegjësi të Ministrisë së Financave. Kjo kontribuoi në miratimin e 142.1 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Këto reforma nuk janë vetëm për përmbushjen e kritereve evropiane, por edhe për ndërtimin e institucioneve më efikase, menaxhim më të mirë të financave publike dhe krijimin e kushteve më të mira për investime dhe zhvillim ekonomik.", - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Dimitrieska Koçoska shtoi se në periudhën në vijim fokusi do të mbetet në konsolidimin fiskal, luftën kundër ekonomisë informale, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e shfrytëzimit të fondeve evropiane, me synim përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
ERSAN PAJAZITI
