Maqedoni

Shiu i rrëmbyeshëm gjatë ditës së djeshme shkaktoi dëme të shumta

02.07.2026 15:15

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar probleme në rrugët e kryeqytetit dhe në lagjet e Komunës së Çairit....

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut  kanë shkaktuar probleme në rrugët e kryeqytetit dhe në lagjet e Komunës së Çairit. Punëtorët sezonalë të Komunës së Çairit, në bashkëpunim me ekipet e NP “Higjiena Komunale”, ishin të angazhuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dhe vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme  me aktivitetet në terren. Ndërhyrjet po realizohen në rrugë dhe hapësira publike, sipas prioriteteve dhe nevojave të evidentuara, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të pastërtisë dhe funksionalitetit. Shërbimet e Qytetit  të Shkupit dhe ato komunale u përballën me pasojat e stuhisë në Shkup, thekson kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Dëmet po riparohen, por çështja e urbanizimit të paplanifikuar të metropolit është rihapur.
 
“Kur ndodhin këto lloj stuhish, atmosfera e kanalizimit nuk ka kapacitetin për të thithur të gjithë presionin që vjen. E patë që nga Sopishtja dhe Vodno, një sasi e madhe uji po zbriste në zonën qendrore të qytetit. Mendoj se ia dolëm mbanë, falë Zotit nuk pati viktima, disa automjete u dëmtuan, disa shtëpi qytetarësh u përmbytën, jemi të përgatitur sot, sepse parashikohet një stuhi e ngjashme të përsëritet.”, - deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. 
 
LSDM-ja ka akuzuar se përmbytjet e shkaktuara nga moti i ligë në Klinikën e Onkologjisë kanë krijuar një situatë serioze që rrezikon shëndetin dhe sigurinë e pacientëve dhe personelit mjekësor.
 
“Kategoria më e cenueshme e pacientëve është ekspozuar ndaj një rreziku të dyfishtë dhe jashtëzakonisht serioz. Një rrezik radiologjik, për shkak të depërtimit të ujit në hapësirën ku administrohet terapia me jod radioaktiv, si dhe një rrezik biologjik, për shkak të rrjedhjes së ujërave fekale në ambientet e klinikës. Informacionet që kemi në dispozicion tregojnë se i vetmi bunker i izoluar me mure prej plumbi është përmbytur plotësisht, ndërsa Klinika nuk disponon një hapësirë tjetër alternative të këtij lloji. Duke pasur parasysh se jodi radioaktiv ka një gjysmë jetë prej rreth 8 ditësh, i drejtojmë publikisht pyetjet tona dhe kërkojmë përgjigje urgjente nga menaxhmenti i Klinikës së Onkologjisë dhe nga Drejtoria për Mbrojtje nga Rrezatimi: A është reaguar në kohë ndaj kësaj situate kritike, apo është lejuar që kaosi të rrezikojë jetën e njerëzve?”, - theksoi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
 
Nga Klinika e Onkologjisë thonë se pacientët që ishin duke pranuar terapitë e tyre u transferuan në hapësira të sigurta dhe po funksionojnë në mënyrë të rregullt. 
 
“Pacientja mbrëmë ishte në terapi të rregullt që e merr, ekziston hapësirë që është e izoluar në atë pjesë dhe kishte rrjedhje të ujit. Pacientët u transferuan në mënyrë të sigurt në një dhomë tjetër, u thirrën fizikantë dhe stafi i Institutit të Mjekësisë Bërthamore. Pacientët janë të sigurt nga ekspozimi ndaj jodit radioaktiv, radioterapia po funksionon normalisht pa probleme.”, - thanë nga Klinika e Onkologjisë.
 
Qytetarët shpresojnë të merren masa urgjente nga autoritetet kompetente që në raste të shirave të rrëmbyeshëm të mos kenë dëme materiale dhe probleme të ndryshme. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI