Botë

Sulm masiv rus mbi Kievin, dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha

02.07.2026 15:35

Rusia gjatë natës kreu një sulm të madh të kombinuar ndaj kryeqytetit të Ukrainës me dhjetëra raketa kruiz dhe balistike...

Rusia gjatë natës kreu një sulm të madh të kombinuar ndaj kryeqytetit të Ukrainës me dhjetëra raketa kruiz dhe balistike, si dhe me qindra dronë pa pilot. Granatimet intensive e tronditën Kievin për orë të tëra, ndërsa banorët e kaluan natën në strehimore. Janë raportuar dhjetëra viktima dhe të plagosur në të dy anët e lumit Dniper. Për shkak të veprimeve ushtarake në vendin fqinj, Polonia njoftoi se ka aktivizuar avionët luftarakë për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
 
“Është e tmerrshme. Dritaret e dhomave janë thyer. Perdet janë shqyer, edhe në kuzhinë gjithashtu.”, - tha një banor.
 
“Në orën 3, 4 të mëngjesit, ndërtesa filloi të dridhej fuqishëm, madje edhe në parking u ndje një dridhje e fortë, dhe më pas pasoi një shpërthim. Menjëherë u bë e qartë çfarë ndodhi pranë.”, - tha një banor tjetër.
 
“Po flinim dhe kjo na shpëtoi, sepse zakonisht qëndrojmë këtu pranë derës dhe shpërthimi mund të na kishte vrarë.”, - u shpreh një banor.
 
“Një shpërthim pas tjetrit. Kishte katër goditje direkte në ndërtesa banimi. Donin të vrisnin njerëz – ky ishte qëllimi i tyre i vetëm.”, - u shpreh një banor tjetër.
 
“Unë, gruaja ime dhe macja jonë ishim në strehimoren kundër bombave. Strehimorja është rreth 150 metra larg. Pastaj pati një shpërthim dhe edhe vetë strehimorja u dridh.”, - theksoi një banor.
 
“Gruaja ime, qeni ynë dhe unë ishim në strehimoren kundër bombave. Nuk ka mbetur asgjë në apartamentin tonë. Gjithçka që kishim është zhdukur. Gjithçka u dogj.”, - theksoi një banor tjetër i Kievit.
 
Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, thotë se Kremlini i ka urdhëruar ushtrisë të gjejë mënyra që Rusia të nisë operacione të reja ofensive në Ukrainë për të marrë Kievin. Sipas tij, kjo përfshin ofensiva ruse të nisura nga territori i Bjellorusisë për të pushtuar kryeqytetin ukrainas dhe zonat përreth.
 
“Gjatë natës, armiku filloi një sulm masiv ndaj qyteteve ukrainase. Goditjet më të rënda ndodhën në Kiev. Aktualisht, 13 persona janë vrarë dhe më shumë se 40 janë plagosur. Njëzet ndërtesa banimi janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar pjesërisht. Qindra shtëpi janë dëmtuar gjithashtu nga vala e shpërthimeve dhe mbeturinat.”, - theksoi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klimenko.
 
Sulmi erdhi pak pasi presidenti ukrainas paralajmëroi se Moska po përgatit një tjetër goditje masive ajrore. Në të njëjtën kohë, presidenti Putin vendosi të zgjerojë administratën qendrore të Shërbimit Federal të Sigurisë nga 785 në 812 persona, e cila është përgjegjëse për sigurinë e tij personale dhe mbrojtjen e institucioneve më të larta shtetërore. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kjo është hera e katërt që rritet numri i punonjësve të këtij shërbimi.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU