VLEN-i konfirmoi emrat e ministrave të rinj

02.07.2026 15:54

VLEN-i konfirmoi emrat e tre ministrave të rinj...

VLEN-i konfirmoi emrat e tre ministrave të rinj, të cilët me ristrukturimin e Qeverisë do të drejtojnë Ministrinë e Drejtësisë, Marrëdhënieve mes Komuniteteve, si dhe Kulturës dhe Turizmit. Vendimi u mor pas seancës së djeshme të kryesisë së VLEN-it. Është marrë një vendim që përfaqësuesit e koalicionit në Qeveri do të jenë individë që sjellin energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarë, potencuan nga VLEN-i.
 
“Pas mbledhjes së mbajtur të Presidencës së VLEN-it, vendosëm që të nominojmë emrat për ekzekutivin e ri, duke filluar nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, të cilën do ta udhëheqë Agon Ferati; Ministrinë e Drejtësisë do ta udhëheqë profesori universitar Jeton Shasivari; Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit do ta udhëheqë Sedat Sulejmani. Ndërsa në ekzekutivin e ri do të vazhdojnë të qeverisin dhe të menaxhojnë dikasteret e njëjta, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, zotëri Bekim Sali; ministër i Ekonomisë dhe Punës, zotëri Besar Durmishi dhe ministër për Mjedisin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, përkatësisht ministër i Ekologjisë, zotëri Muhamed Hoxha. Me këtë ekip, VLEN-i konfirmon gjithëpërfshirjen, hapjen dhe angazhimin e kuadrove më kualitative në shoqërinë tonë, për të sjellë një dinamikë të re në implementimin e premtimeve programore dhe premtimeve zgjedhore, krejt kjo në funksion dhe në interes të qytetarit dhe votuesit.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.