Rajon

Republika e Kosovës, shënohet 36-vjetori i deklaratës kushtetuese

02.07.2026 15:59

Kosova ka shënuar 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990...

Kosova ka shënuar 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Deklarata Kushtetuese e para 36 viteve nisi me dyer të mbyllura dhe me një Kuvend të rrethuar nga policia serbe, me delegatë jashtë sallës dhe me një pushtet që pasi ia kishte marrë Kosovës autonominë, kërkonte edhe asgjësim politik. 
 
“Pas 2 korrikut erdhi 7 shtatori, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, pastaj referendumi për pavarësi dhe i gjithë organizimi i viteve të 90-ta. Kosova u përpoq ta mbante veten në këmbë, me institucione që krijoi, me shkollat shtëpi, me universitetin, me jetën politike dhe me qytetarët që nuk pranuan amendamentet e mëhershme dhe dënimin që iu kishte imponuar.”, - theksoi u.d. presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Haxhiu njëherësh theksoi se rruga politike e viteve të 90-ta mori kuptimin e saj të plotë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila  mori mbi vete barrën më të rëndë të historisë sonë të re, luftën për çlirimin e Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerësoi se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë. 
 
"Ato vite, në përpjekje për krijimin e Serbisë së Madhe, shteti i Serbisë i nisi katër lufta në Jugosllavi: në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë në Kosovë. Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para Republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë. Njëherë për qëndresë paqësore, e më andej edhe për luftë çlirimtare.", - theksoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Ilaz Ramajli, kryetar i delegatëve, që votuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 tha se kur e sheh Kosovën e pavarur bindet se deklarata nuk ishte vetëm akt juridik. 
 
"Është po aq e rëndësishme të kujtojmë se suksesi i punës së Kuvendit të Kosovës atëherë nuk ishte rezultat vetëm i vendimeve të delegatëve. Ai u bë i mundur falë unitetit që ishte krijuar ndër shqiptarët e Kosovës, falë angazhimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe falë kontributit të elitës intelektuale dhe politike të kohës, e cila me vizion, mprehtësi dhe përgjegjësi, ndihmoi në formulimin e platformës politike e juridike mbi të cilën mbështetej veprimtaria e Kuvendit atëherë. E më pas, këtë kuptim ia dha shpirti i rezistencës së këtij populli, sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetja e vendeve mike, e miqve tanë ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s. Të gjitha këto, formojnë hallka të pandashme të historisë sonë të lirisë.", - u shpreh kryetari i delegatëve të 3 korrikut, Ilaz Ramajli. 
 
Ramajli njëherësh bëri të ditur se nga 111 delegatë, që më 2 korrik morën përgjegjësinë historike për ta shpallur Deklaratën Kushtetuese, 50 prej tyre sot nuk janë më në mesin tonë.
 
GYLTENE SINANI