Botë

Bisedimet ShBA - Iran në Doha, përparim i kujdesshëm për Ngushticën e Hormuzit

02.07.2026 16:26

Mediatorët Pakistani dhe Katari raportuan për përparim pozitiv në bisedimet indirekte midis ShBA-së dhe Iranit në Doha...

Mediatorët Pakistani dhe Katari raportuan për përparim pozitiv në bisedimet indirekte midis ShBA-së dhe Iranit në Doha lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen kornizë të arritur dy javë më parë për përfundimin e luftës. Bisedimet janë përqendruar në Ngushticën e Hormuzit, e jo në çështjet bërthamore, theksoi zëvendëspresidenti Vens.
 
“Është e qartë se do t’u japim negociatave sa më shumë shanse për sukses. Por, sigurisht, nëse përpiqen të rinisin programin bërthamor, nëse refuzojnë inspektimet, nëse vazhdojnë të qëllojnë anijet tregtare, atëherë presidenti ka ende shumë opsione në tryezë.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, Xhejms Dejvid Vens. 
 
Uashingtoni dhe Teherani janë pajtuar, si pjesë e marrëveshjes së përkohshme, t’u lejojnë anijeve të kalojnë për 60 ditë nëpër ngushticë pa paguar tarifa. Republika Islamike këmbëngul se duhet të ketë kontroll mbi rrugët detare dhe më vonë të vendosë tarifa për kalim, gjë me të cilën Uashingtoni dhe shumë vende arabe nuk pajtohen. Autoritetet iraniane thonë se inspektorëve të OKB-së nuk do t’u lejohet qasja në objektet bërthamore të bombarduara dhe të dëmtuara.
 
“Sovraniteti mbi Ngushticën e Hormuzit i përket Iranit dhe Omanit, dhe me marrëveshjet e përcaktuara nga Irani, megjithatë do të konsultohemi edhe me vendet e tjera të Gjirit. Nëse kanë mendime për marrëveshjet, do të bisedojmë.”, - theksoi kryenegociatori i delegacionit iranian, Muhamed Bagër Kalibaf.
 
Palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në periudhën në vijim, ndërsa takimi i radhës do të caktohet pas ceremonive mortore për ish-liderin suprem, Ajatollah Ali Hamenei, i cili u vra në fillim të luftës në fund të shkurtit. Ceremonitë fillojnë më 4 korrik në Teheran dhe në qytetin e pelegrinazhit, Kum. Varrimi pritet të mbahet më 9 korrik në vendlindjen e Hameneit, Mashhad, në verilindje të vendit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU