Maqedoni
LSDM: shumë spekulime rreth takimit në Bruksel; BDI zyrtarisht publikon marrëveshjen e 2 qershorit
12.06.2015 17:47
Përmbajtja e bisedimeve për tejkalimin e krizës, që u mbajt në Bruksel, e që janë me karakter të mbyllur, u interpretua në forma të ndryshme nga pjesëmarrësit në bisedime....

Për dallimin nga takimi në Shkup, ku palët dolën me një qëndrim të përbashkët të deklaruar nga vetë komisioneri për zgjerim, Johanes Han, pas takimit në Bruksel pjesëmarrësit dolën me qëndrime të ndara, madje edhe me qëndrime të kundërta. Kjo qasje nxiti komente, spekulime dhe dezinformata në media dhe në opinion.
LSDM, përmes një komunikate, ka sqaruar se qëndrimi i saj për takimin e mbajtur në Bruksel është paraqitur në kumtesat zyrtare të partisë dhe nga funksionarët partiakë.
“Njëkohësisht përshëndesim përkushtimin e tërësishëm, para së gjithash të eurokomisarit, Johanes Han, si dhe përkushtimin e përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë prezent në Bruksel”–thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Partia e Zaevit thekson pjesëmarrjen aktive dhe kontributin personal të ambasadorit amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, eurodeputetit, Ivo Vajgël, dhe përfaqësuesin për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Alen Le Roa, të cilët kanë dhënë propozime për dalje nga kriza e thellë politike në Maqedoni.
Ndërkohë, BDI ka publikuar versionin zyrtar të marrëveshjes së 2 qershorit.
Në këtë marrëveshje, mes tjerash thuhet se partitë pajtohen që ta vendosin një “periudhë transitore”, duke filluar menjëherë dhe duke përfunduar me zgjedhje të lira dhe demokratike, në përputhje të plotë me standardet evropiane, deri në fund të prillit të vitit 2016.
Gjatë periudhës transitore, gjer më 10 qershor, partitë do të pajtohen mbi organizimin e saktë të qeverisë, që do t’i përgatisë zgjedhjet, gjë që nuk ndodhi, pasi takimi i 10 qershorit në Bruksel përfundoi pa sukses.
Po ashtu, LSDM do të duhej të kthehet në parlament dhe të udhëheq me komisionet e veçanta anketues parlamentar të themeluar mbi skandalin e përgjimeve. Komisionet mbi zbulimin dhe ndërhyrjen në komunikime do të udhëhiqen gjithashtu nga LSDM.
Një raport fillestar nga këto komisione do të duhej të përpilohet deri në nëntor 2015. Po ashtu, në marrëveshje thuhet se me efekt të menjëhershëm nuk do të ketë publikime të mëtejme të çfarëdo materiali të përgjuar dhe pas kthimit të LSDM në parlament të gjitha materialet do t’i dorëzohen prokurorit publik për veprim të menjëhershëm.
Po ashtu, në marrëveshje thuhet se gjer më 31 korrik 2015, përbërja e KShZ-së do të shqyrtohet dhe modifikohet. Gjer më 30 shtator 2015, Komisionit Shtetëror Zgjedhor do t’i jepen kompetenca të shtuara që të sigurojë zgjedhje të lira dhe fer, si dhe fushë të barabartë për të gjitha partitë.
Të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR do të zbatohen, përfshirë edhe shqyrtimin e listës së votuesve në përputhje me një metodologji të re dhe të dakorduar.
SHPËTIM NUREDINI
