Maqedoni

Avokati i popullit: emigrantët, trajtim johumanë në Maqedoni

12.06.2015 18:04

Gra shtatzëna, fëmijë paprindër, foshnja, persona që flenë në dysheme, kushte joadekuate mjekësore, si dhe sjellje johumane e punonjësve ndaj emigrantëve...

Këto janë konstatimet e avokatit të popullit, Ixhet Mehmetit, në raportin e jashtëzakonshëm pas vizitës së djeshme në Qendrën e Azilantëve në Gazi Babë.
 
Ai gjithashtu shprehet i pakënaqur për numrin jashtëzakonisht të madh të personave në këtë qendër. Ai kërkon ndryshim të kornizës ligjore për azil, në të cilën do të përfshihen të drejtat e refugjatëve, dhe zmadhim të kapaciteteve pranuese.
 
“Konstatimi i im është se sistemi ekzistues juridik në RM nuk jep garanci për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Prandaj, apeloj që sa më shpejtë të sillen ndryshimet e Ligjit për Azil, të cilat janë në procedurë. Është mirë që të sillen këto ndryshime, por nuk besoj se do ta zgjidhin problemin, pasi problemi është shumë më kompleks. Kërkoj zmadhim të kapaciteteve pranuese dhe kushte përkatëse për qëndrim human të tyre”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
 
Përveç kësaj, avokati i popullit brengoset edhe për përhapjen e madhe të sëmundjeve infektive në mesin e refugjatëve në Qendrën e Azilit.
 
“Lidhur me cilësisë e mbrojtjes shëndetësore, njëherazi konstatuam edhe paraqitjen e sëmundjeve ngjitëse, ankohen edhe në sjelljen e të punësuarve, nga aspekti juridik sidomos brengos fakti se këto persona posedojnë vetëm vërtetim për marrjen e  sendeve të tyre, të cilën e kanë në gjuhën maqedonase dhe nuk e kuptojnë”- tha  Mehmeti.
 
Avokati i popullit kritikoi edhe organet kompetente, duke thënë se punojnë në mënyrë të paligjshme dhe joefikase. Ai thotë se brengos komunikimi jashtëzakonisht i keq i organeve kompetente, gjegjësisht ndërmjet qendrës, prokurorit publik dhe MPB-së. 
 
ERSAN PAJAZITI