Rajon

Haxhiu dhe Kurti: Anëtarësimi në NATO, objektiv strategjik i Kosovës

03.07.2026 14:04

Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik..

Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike. Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, se ky synim lidhet edhe me sigurinë dhe orientimin demokratik të Kosovës.
 
“Synimi ynë strategjik mbetet i pandryshuar. Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik i Republikës së Kosovës. Ky synim lidhet me sigurinë tonë, por edhe me orientimin e qartë demokratik, sundim të ligjit dhe siguri.”, - deklaroi u.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Kosova po e forcon ushtrinë e saj, ndërsa po punon edhe në plotësimin e kritereve për anëtarësim në NATO, si një nga qëllimet kryesore, ka deklaruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
 
“Kemi investuar mbi 460 milionë euro në blerje të armatimit, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajnimet, por mbi të gjitha kemi investuar në shkollimin dhe edukimin e ushtrisë. Po punojmë fort dhe së bashku që të jemi ofrues të sigurisë, duke plotësuar në vazhdimësi kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtarë i NATO-s.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti, i cili pritet të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re, ka paralajmëruar se në mandatin e ardhshëm do të investohen 1 miliard euro për ushtrinë, ndërsa bëri të ditur edhe planin për inkuadrimin e njëmijë vajzave dhe grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI