Ukrainë, 30 të vdekur nga sulmet masive dyditore
03.07.2026 15:40
Është rritur në 30 numri i viktimave nga sulmet masive ruse ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës të kryera më 1 dhe 2 korrik...

Është rritur në 30 numri i viktimave nga sulmet masive ruse ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës të kryera më 1 dhe 2 korrik, nga të cilat po ashtu mbi 90 persona kanë mbetur të plagosur. Në rajonin e Sumit, një dron rus goditi një banesë, duke vrarë dy gra, një burrë të moshuar dhe një vajzë dy vjeçare. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur, njoftoi kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleh Kryhorov. Ndërkohë, në Krivi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Zelenski, shtatë persona u plagosën pas një sulmi me raketa në një zonë të banuar, bëri të ditur Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hiper, ka deklaruar se sulmi shkaktoi shembjen e blloqeve të tëra të apartamenteve, goditi një ndërtesë ku ishin vendosur ambulanca dhe dëmtoi një godinë ku banojnë disa diplomatë. Gjithashtu u shkatërrua një nga depot kryesore të Kryqit të Kuq Ukrainas. Dega ukrainase e Kryqit të Kuq tha se depoja e saj humanitare në Kiev ishte shkatërruar nga sulmet ajrore, me humbje ndihmash dhe pajisjesh me vlerë rreth 1.5 milion eurosh. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se sulmi rus u krye me 570 mjete ajrore, duke përfshirë katër raketa Zirkon, 24 raketa balistike Iskander dhe 496 dronë të tipit Shahed. Kombet e Bashkuara i dënuan sulmet.
“Sekretari i Përgjithshëm dënon ashpër sulmet me raketa dhe dronë të kryera gjatë natës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse ndaj kryeqytetit Kiev dhe qyteteve të tjera ukrainase. Çdo sulm ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, kudo që të ndodhë, është shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe duhet të ndalet menjëherë. Sekretari i Përgjithshëm përsërit apelin e tij për deeskalim urgjent, që do të çojë drejt një armëpushimi të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujariq.
Autoritetet ukrainase menjëherë kanë kërkuar nga aleatët perëndimorë furnizim urgjent me sistemet raketore “Patriot”. Duke vizituar zonat e goditura, presidenti Volodimir Zelenski, akuzoi Moskën se po synon objektiva civile dhe politike për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.
“Rusia po godet objektiva politike vetëm për ta detyruar Ukrainën të heqë dorë nga shteti i saj. Sulmi ishte planifikuar qëllimisht nga rusët për të shkaktuar dëm maksimal. Për fat të keq ka mungesë të sistemeve antibalistike, mungesë të raketave patriotë. Partnerët tanë ShBA dhe partnerët evropianë patjetër të jenë më aktiv në ndihmë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase njoftoi se ka goditur një rafineri nafte në Rusi, si dhe një kompleks për kontrollin e dronëve rusë në pjesën e rajonit të Zaporizhjas që kontrollohet nga trupat e Moskës. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Ukrainës për të arritur objektivat e saj. Ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj, siç i cilësoi, “akteve terroriste” të Ukrainës kundër infrastrukturës ruse. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se dëshiron arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund “vrasjeve të pakuptimta”. Gjermania vlerësoi se sulmi dëshmon se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka vullnet për negociata, ndërsa Franca kritikoi këmbënguljen e Moskës për të vazhduar luftën.
GYLTENE SINANI
