Forum për qëndrueshmëri dhe bizneset rezistuese, biznesi kërkon reforma dhe mbështetje ekonomike
03.07.2026 15:41
Në forumin për qëndrueshmërinë dhe bizneset rezistuese kryetari i Odës Ekonomike bëri disa kërkesa...

Biznesi kërkon hapje të kufijve, luftë më të vendosur kundër korrupsionit dhe ekonomisë gri, gazifikim, mbështetje për eksportin dhe vazhdimësi të rregulloreve ligjore. Këto kërkesa i përsëriti kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, në forumin për qëndrueshmërinë dhe bizneset rezistuese, duke theksuar se rajoni duhet të bashkëpunojë më shumë dhe të respektojë vlerat evropiane. Sipas tij, në kohë krize, odat ekonomike duhet t’u tregojnë kompanive rëndësinë e sinergjisë mes qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë.
"Ne jemi në favor të mbështetjes së të gjitha çështjeve thelbësore, parimeve dhe vlerave themelore, por nuk mund ta bëjmë këtë sikur të ishte një buton kur dikush na rifillon, por do ta bëjmë kur të ndërtojmë themele të forta në vendin tonë dhe ta zgjerojmë atë në rajon.", - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se marrëdhëniet diplomatike duhet të shndërrohen në mundësi konkrete ekonomike. Sipas tij, rrjeti diplomatik fokusohet në hapjen e tregjeve të reja, tërheqjen e investimeve, promovimin e eksporteve, lidhjen e kompanive dhe informimin në kohë për ndryshimet në tregjet globale.
"Pyetja tashmë nuk është nëse do të ketë ndryshime. Pyetja është nëse do të jemi të gatshëm ato ndryshime t'i shndërrojmë në përparësinë tonë konkurruese. Secila krizë sjellë rreziqe, por krijon edhe hapësira për ide të reja, tregje të reja, teknologji të reja dhe modele të reja afariste. Mundësinë do ta shfrytëzojnë ato kompani dhe ekonomi të cilat do t'i njohin me kohë rregullat e reja të lojës.", - theksoi ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Qeveria vazhdon të jetë partneri kryesor i kompanive duke i mbështetur në transformimin e gjelbër dhe digjital, tha me ketë rast kryeministri, Hristijan Mickoski.
“Vizioni ynë është i qartë, të ndërtojmë shtet në të cilin suksesi nuk do të varet nga privilegjet, por nga dituria, shtet në të cilin institucionet do të jenë servis i ekonomisë, shtet i cili do të njihet për inovacione, për cilësi të prodhimeve të veta, për punën e ndershme dhe për ekonomi konkurruese, shtet i cili do të jetë mjaft i fuqishëm t'u qëndrojë krizave dhe mjaft i mençur t'i njohë mundësitë që i sjellin ato. Jam i bindur se kemi dituri, kemi kapacitet, kemi ekonomik e cila dëshiron të rritet dhe kemi njerëz të cilët meritojnë të ardhme më të mirë.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Standardet e reja sjellin mundësi për modernizim dhe konkurrueshmëri më të madhe, thonë nga OKB-ja. Sipas tyre, krahas kompanive energjetike, edhe ndërmarrjet e vogla e të mesme duhet të përfshihen në procesin e digjitalizimit, pasi përfitimet e tranzicionit duhet të ndihen edhe nga qytetarët.
"Ndikimi i vërtetë lidhet me jetën e njerëzve – krijimin e vendeve cilësore të punës, garantimin e sigurisë në vendin e punës, ajrit më të pastër dhe komuniteteve më të shëndetshme ku jetojnë qytetarët.", - theksoi Rita Kolumbia nga OKB.
Forumi për qëndrueshmërinë dhe bizneset rezistuese u organizua nga Oda Ekonomike. Në takim u vlerësua se vendi po përballet me sukses me sfidat e shkaktuara nga kriza energjetike dhe ajo e sigurisë, ndërsa u theksua se hapja e kufijve ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e biznesit.
REXHEP QAMILI
