Maqedoni

Libri Amzë në objekt të pavarur

12.06.2015 18:16

Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amëz - Zyra Rajonale në Gostivar, e cila funksionon në suaza të Ministrisë së Drejtësisë...

Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amëz - Zyra Rajonale në Gostivar, e cila funksionon në suaza të Ministrisë së Drejtësisë, në të ardhmen do të funksionojë në objekt të pavarur dhe jo siç ishte deri më tani, në suaza të objektit të stacionit policor. 
 
Në një ceremoni rasti dhe në prani të ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, si dhe përfaqësuesve nga Drejtoria Qendrore në Shkup u përuruan mjediset e reja të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amëz-Zyra Rajonale në Gostivar, të cilat ndodhen në rrugën “Ivo Lola Ribar”, në afërsi të Shkollës Fillore “Bashkimi”. 
 
Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, u shpreh se me hapjen e zyrave të reja të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amëz janë krijuar kushte optimale për punonjësit dhe mbi të gjitha kushte për shërbim sa më efikas ndaj qytetarëve.
 
Më afër qytetarëve, kushte më të mira dhe më komode për të punësuarit, dhe si rezultat i kësaj edhe shërbime më efikase ndaj qytetarëve, ky ishte vlerësimi i kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë inauguruese. 
 
Lehtësim më të madh me hapjen e këtyre zyrave do të ndjejnë vetë qytetarët, të cilët nuk do të kenë droje të kërkojnë dokumentet e tyre të amzës, duke pasur parasysh se vite të tëra këtë e bënin duke hyrë në objektet e policisë, e cila ka shkaktuar shqetësime tek shqiptarët, duke pasur parasysh veprimet e policisë në të kaluarën.
 
LULZIM HAZIRI