Kuvend, ribalanci mes shifrave dhe akuzave

04.07.2026 14:45

Ribalanci i buxhetit ka shkaktuar përplasje mes pozitës dhe opozitës...

Ribalanci i buxhetit ka shkaktuar përplasje mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Qeveria mbron rialokimin e mjeteve si të domosdoshëm, ndërsa opozita e akuzon për keqmenaxhim të financave publike.

Debati u fokusua te mënyra se si janë menaxhuar paratë e shtetit gjatë viteve të fundit.

“Po përsëritet vazhdimisht se kemi kaluar nëpër krizën e COVID-it, mirëpo, në të njëjtën kohë, Enti Shtetëror i Auditimit doli me shifra konkrete dhe tregoi saktësisht se sa ishte shuma e mjeteve të ndara për mbështetjen e ekonomisë, si dhe sa nga ato mjete u keqorientuan. Një rritje prej 1.8% përballë rritjes së sotme prej mbi 3%, tregon shumë qartë nëse paratë janë menaxhuar dhe orientuar siç duhet apo jo.” – tha Ministreja e Financave, Gordana Dimitrievksa Koçovska.

Nga ana tjetër, ish-partia në pushtet, LSDM, u përgjigj duke kujtuar trashëgiminë e rëndë financiare që, sipas tyre, la VMRO-DPMNE-ja pas një qeverisjeje 12-vjeçare, çka e bëri ballafaqimin me pandeminë edhe më të rëndë.

“Ato ishin vitet e krizës së COVID-it. Një krizë e tmerrshme ekonomike. Në një sistem të dobësuar. Mos harroni se çfarë trashëguam pas 12 viteve të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe se sa borxhe iu lanë këtij shteti. Vetëm se tani, ju po bëni një matematikë 'kreative', por realiteti dhe rezultati në terren është i keq” – u shpreh Deputetja e LSDM-së, Sonja Mirakovska.

Reagimi nga taborri i shumicës parlamentare ishte i menjëhershëm. Deputeti Bojan Stojanovski akuzoi drejtpërdrejt opozitën për keqpërdorim të hapur të fondeve publike gjatë menaxhimit të krizës shëndetësore.

“Ajo që prisja nga ju, që kësaj gruaje, si ministre e Financave, t'i thoshit: 'Ju lumtë, brenda dy viteve keni kthyer 4.5 miliardë euro borxhe të vjetra, të cilat u morën në kohën tonë’. Shkoni e shikoni, sepse nuk e kam shkruar unë raportin e revizionit ku thuhet se i keni avulluar paratë. Në raportin e revizionit shkruan e zeza mbi të bardhë: 'Para të marra, para të vjedhura'.” – tha Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

Përtej replikave politike, shifrat zyrtare të këtij ribalanci parashikojnë që të hyrat totale të rishikohen në pothuajse 380 miliardë denarë në krahasim me buxhetin fillestar, ku të hyrat nga taksat janë projektuar në 213 miliardë denarë.

Deficiti buxhetor rishikohet në 46 miliardë denarë ose 4.1 për qind e PBB-së. Ndërkaq, mbi 54 miliardë denarë janë ndarë për servisimin e rregullt të detyrimeve ndaj kreditorëve të jashtëm, dhe rreth 20 miliardë denarë për shlyerjen e borxhit të brendshëm. (Ersan Pajaziti, TVM2)