Irani nis ceremonitë mortore për Ali Khamenein mes masave të rrepta të sigurisë
Irani ka nisur ceremonitë mortore për Ajatollah Ali Khamenein...

Irani ka nisur ceremonitë mortore për Ajatollah Ali Khamenein. Të pikëlluarit janë mbledhur në Xhaminë e Madhe Mosalla në Teheran, ku janë vendosur arkivolet me trupin e liderit suprem iranian dhe disa anëtarëve të familjes së tij.
Pritet që kortezhe mortore të zhvillohen në disa qytete të Iranit dhe Irakut deri më 9 korrik.
“Imam Khamenei ishte zemra jonë, babai ynë, gjithçka për ne. Ende nuk mund ta besoj se e vranë. Nuk do të qetësohemi derisa ta hakmarrim vdekjen e tij” – tha një qytetare e pikëlluar, Masumeh Mohamadi
“Po përpiqemi ta përmbushim misionin e tij. Do të bëjmë gjithçka që mundemi. Nuk do të kursejmë veten” – deklaroi një qytetarë i pikëlluar, Abbas Rezaei
Masat e sigurisë janë forcuar, pasi Irani ndodhet në gatishmëri për çdo sulm të mundshëm gjatë ceremonive mortore, ku pritet të marrin pjesë disa milionë njerëz. Ende nuk dihet nëse funerali do të shënojë daljen e parë publike të liderit të ri suprem, Moxhtaba Khamenei, pasi babai i tij u vra në ditën e parë të luftës.
“Amerika dhe Izraeli duhet ta dinë se populli rezistent i Iranit është i gatshëm të përballet me ta deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut, në çdo kohë dhe në çdo vend. Udhëheqësi i madh i revolucionit, Ajatollah Moxhtaba Hosseini Khamenei, dëshiron që populli të jetë i pranishëm dhe të qëndrojë kundër tyre” – deklaroi një qytetarë tjetër i pikëlluar, Gholam Hossein Dabirinejad.
“Armiqësia jonë me Amerikën sapo ka filluar; ajo është edhe më e madhe se më parë. Me kërcënimet që vijnë nga SHBA-ja, njerëz si unë duhet të paraqiten vullnetarisht dhe të qëndrojnë kundër tyre, përpara liderit suprem” – tha një qytetarë tjetër i pikëlluar, Mahdi Behjati.
Tensionet mbeten të larta. Një gjeneral i ushtrisë iraniane u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të përmbahen nga çdo sulm gjatë ceremonive mortore. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se i kanë dhënë Iranit “një javë pushim për funeralin”.
“Ne e mposhtëm Venezuelën brenda një dite dhe e shkatërruam Iranin. I dhamë një javë pushim për funeralin e Ajatollah Khameneit sepse jemi të sjellshëm. Kjo është e vërteta” – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Autoritetet iraniane përsëritën paralajmërimin që anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit të respektojnë korridoret e përcaktuara të lundrimit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
