Tetovë, “CeaCon” kontribuon për gjelbërimin e qyteteve
Një iniciativë për një mjedis më të gjelbër...

Një iniciativë për një mjedis më të gjelbër ka ardhur këtë herë nga sektori privat. Kompania për projektim dhe ndërtim “CeaCon” ka dhuruar 100 drunj, po aq sa është edhe numri i punëtorëve të saj.
Pronarja e kompanisë, Rina Sherifi, thotë se qëllimi është të kontribuohet në gjelbërimin e qyteteve dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ajo bën të ditur se drunjtë do të mbillen edhe në disa komuna tjera.
"U kisha sygjeruar edhe kompanive të tjera të marrin edhe ata një iniciativë të tillë që të kemi një qytet sa më të gjelbëruar. Ne si kompani e kemi ndërmarr këtë iniciativë që të jetojmë sa më pastër në vendin ku jetojmë. Në Tetovë do të mbillen 24 drunj, pastaj do të vazhdojmë në Tearcë dhe në qytetet tjera, ndërsa gjithsej do të jenë 100 drunjë. Këto drunjë simbolizojnë 100 punëtorët që punojnë në kompaninë tonë." – tha Rina Sherifi, pronare e “CeaCon”.

Donacioni është mirëpritur edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale. Drejtori Samet Bislimi thotë se Tetova ka nevojë për më shumë hapësira të gjelbra dhe se çdo iniciativë e tillë është një ndihmë e çmuar për qytetin.
Ai u bën apel edhe bizneseve të tjera që të japin kontributin e tyre.
"Pikë së pari e faleminderojmë kompaninë ‘CeaCon’. Është e mirëseardhur çdo iniciativë e tillë. Dihet se në Tetovë kemi nevojë për drunj dhe hapësira të gjelbërta. Sa më shumë hapësira të gjelbërta do të kemi, aq më të pastër do ta kemi ajrin. Unë do t'u sugjeroja edhe kompanive të tjera që të bëjnë një hap të tillë, sikurse kompania ‘CeaCon’, që të kemi një ambient sa më të pastër dhe më të gjelbëruar." – u shpreh Drejtori i NPK-së, Samet Bislimi.
Mbjellja e drunjve nisi në Tetovë dhe më pas do të vazhdojë edhe në komuna të tjera. Nisma synon të nxisë edhe biznese të tjera që, përmes veprimeve konkrete, të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbër. (Visar Sadiku, TVM2)
