Hekurudha e shpejtë, Mickoski: Studimi i fizibilitetit ka përfunduar

04.07.2026 15:57

Studimi i fizibilitetit për projektin e shumëpërfolur të hekurudhës së shpejtë...

Studimi i fizibilitetit për projektin e shumëpërfolur të hekurudhës së shpejtë në kuadër të koridorit 10, në vend tashmë ka përfunduar dhe ndodhet në fazën e revizionit. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me afatet e premtuara.

Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se dokumenti do të ishte gati më herët, kryeministri Mickoski sqaroi se procesi ka ecur sipas koordinimit me Ministrinë e Transportit.

Kreu i qeverisë siguroi gjithashtu se ndryshimet e fundit politike dhe ardhja e qeverisë së re në Britaninë e Madhe nuk do të kenë asnjë ndikim negativ mbi marrëveshjet dhe projektet strategjike të dakorduara mes dy vendeve.

“Nga ajo që di nga bisedat që kemi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, mendoj se ajo është gati, tani është në fazën e revizionit, diçka e tillë. Kështu që studimi i plotë i fizibilitetit ka përfunduar. Nuk pres që të kemi asnjë lloj turbulence në pjesën e ndryshimeve në kuadër të qeverisë britanike. Megjithatë, ai është një shtet serioz dhe atje kujtesa institucionale nuk ndryshon, prioritetet nuk ndryshojnë sa i përket kuadrove që janë në qeveri." – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Me përfundimin e studimit të fizibilitetit, projekti i hekurudhës së shpejtë pritet të kalojë në fazat e ardhshme procedurale, ndërsa qeveria pret që partnerët strategjikë ndërkombëtarë të mbajnë garancitë e dhëna për financimin dhe realizimin e këtyre projekteve kapitale. (Ersan Pajaziti, TVM2)