LSDM: Dimovski nuk mund të luftojë korrupsionin
LSDM ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski...

LSDM ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski, se po planifikon ta vërë në funksionin e qeverisjes së mirë, Dimitar Dimovskin, i cili sipas social-demiokratëve ka qenë i dënuar për disa raste.
Nga LSDM theksojnë se Dimovski është njeri i afërt dhe partner biznesi me Mickoskin.
“Por, përveç se është partner biznesi i Mickoskit dhe pjesë e rrjetit të tij të biznesit, Dimitar Dimovski është edhe i dënuar me kusht në rastin ‘Toplik’ për shitjen e tokës shtetërore në ‘Qytetin Diellor’ në Sopisht. Ai ka qenë gjithashtu ndër të akuzuarit edhe në rastin ‘Shkallët Spanjolle’, i lidhur me ‘Shkupin 2014’. Si mundet që një person i dënuar me kusht për keqpërdorime, partner biznesi i Mickoskit, të jetë i ngarkuar me qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe konflikt interesi?” – tha Jon Frçkovski nga LSDM.
Mickoski: Dimovski nuk do jetë sekretar për Qeverisje të mirë
Megjithatë kryeministri Hristijan Mickoski ka mohuar se Dimitar Dimovski do të jetë sekretar për qeverisje të mirë në Qeveri.
“Unë askund nuk kam thënë se kush do ta menaxhojë pjesën për qeverisje të mirë. Kam thënë se, ashtu siç kemi sekretar që monitoron realizimin e programit të Qeverisë, do të kemi edhe sekretar që do të jetë i ngarkuar për qeverisje të mirë. Kjo nuk do të thotë se do të jetë i njëjti person dhe nuk do të jetë i njëjti person.” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Dimovski është i ngarkuar me ndjekjen e realizimit të programit të Qeverisë dhe politikave qeveritare. Mickoski gjithashtu periudhën e PSP-së e përshkruan si gjueti politike. (Ersan Pajaziti, TVM2)
