Shpaguhet eurobondi prej 700 milionë eurosh, Mickoski: Kthejmë borxhet e qeverisë së kaluar
Maqedonia e Veriut ka kthyer para kohe borxhin...

Maqedonia e Veriut ka kthyer para kohe borxhin prej 700 milionë eurosh të vitit 2020, ka theksuar kryeministri, Hristijan Mickoski. Sipas tij, kjo shlyerje e parakohshme e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar ka sjellë kursime të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
“Në këto dy vite janë shlyer ose riprogramuar afërsisht 4.5 deri në 4.6 miliardë euro. Ky është një borxh i krijuar, në pjesën më të madhe, nga shtatë vitet e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Ne po i shlyejmë këto obligime, ndërsa në të njëjtën kohë po gjejmë mjete për projekte infrastrukturore dhe rritje pagash në arsim e shëndetësi. Kur menaxhohet me përgjegjësi, sanohen të gjitha pasojat e dëmshme të një kohe që nuk do të dëshironha të përsëritej më.” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Çmimet e karburanteve, nga nesër pritet shtrenjtim i karburanteve
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që nga nesër të ketë një rritje të re të çmimeve të karburanteve, si pasojë e lëvizjeve në bursat botërore, ndonëse llogaritjet përfundimtare pritet t'i shpallë Komisioni Rregullator për Energjetikë.
“Pres që të kemi një rritje prej rreth 2 deri në 2.5 denarë për litër për naftën dhe rreth një denar për benzinën, por le të presim që nesër Komisioni Rregullator të japë shifrat zyrtare” – tha Kryeministri Hristijan Mickoski.
Mickoski shtoi se, përkundër këtij shtrenjtimi të mundshëm, Maqedonia e Veriut mbetet ende ndër vendet me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon e më gjerë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
