Ndryshimet klimatike, Ademi: Ndikojnë në shëndetin e qytetarëve

05.07.2026 17:57

Ndryshimet e temperaturave në këtë sezon...

Ndryshimet e temperaturave në këtë sezon të vitit ndikojnë dukshëm në shëndetin e qytetarëve, thotë për TVM2 mjeku i ndihmës së shpejtë, Sejfullah Ademi. Ai njëherit thekson se moti i nxehtë më shumë i godet personat me sëmundje kronike, fëmijët si dhe gratë shtatzëna.

“Rritjet e temperaturave ndikojnë në shëndetin e njerëzve, pacientëve, andaj ne apelojmë si ndihmë e shpejtë, si mjek që të kenë kujdes veçanërisht pacientët me sëmundje kronike si dhe të moshuarit, pa nevojë të mos lëvizin dhe të kenë kujdes për shëndetin e tyre në marrjen e terapisë gjithashtu, dhe preferohet që me çdo kusht veshje sa më të lehta  si dhe konsumimi i ushqimeve të lehta, marrja e lëngjeve më tepër, ujë, etj. Kjo do të ndihmonte që pacientët të kalojnë më lehtë periudhën e këtillë” – tha Sejfullah Ademi, mjek në Ndihmën e Shpejtë.  

Qytetarë: E vështirë puna në  vapën e madhe

Qytetarët thonë se e kanë vështirë të punojnë në këto tempertaura të larta.

“Sigurisht është e vështirë, fillimisht e kemi patjetër të punojmë.”

“Unë zakonisht dal paradite, por kisha takim urgjent, prandaj dola në këtë kohë.”

“Sot kam dalë me punë, jam duke e prit shoqen, për ne më mirë është deri në orën 10.00 të dalim në mëngjes dhe pasdite pas orës 17.00, për juve mund të dilni në secilën kohë.” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.

Mjeku Ademi thekson se në numrin 192 qytetarët paraqiten me probleme të ndryshme që u shkaktohet nga vapa e madhe, si me tension të lartë, marramendje, plogështi, vështirësi në frymëmarrje dhe kokëdhembje.

Ai apelon pacientët  për kujdes të shtuar në këtë kohë, me marrjen e terapisë së rregullt dhe rekomandimeve nga kompetentët shëndetësor për evitimin e problemeve të ndryshme. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)