Pishina e qytetit në Tetovë, rritet interesimi gjatë temperaturave të larta

05.07.2026 18:50

Temperaturat e larta gjatë ditëve të fundit...

Temperaturat e larta gjatë ditëve të fundit kanë rritur interesimin e qytetarëve për të shfrytëzuar pishinat, si ato të hapura ashtu edhe ato të mbyllura. Njëra prej tyre është edhe Pishina e Qytetit në Tetovë, e cila shfrytëzohet nga të gjitha grupmoshat.

Qytetarët që takuam thonë se pishina të tilla duhen edhe në qytete të tjera, por edhe në fshatra. Ata theksojnë se e vizitojnë pishinën kryesisht për t’i mësuar fëmijët notin, por edhe për përfitimet shëndetësore.

"Pishina është e mirë, e bukur është. Vijnë, relaksohen, shumë mirë është. Unë mendoj se duhet të ketë edhe nëpër fshatra, rreth e rrotull. I gjithë qyteti duhet të ketë një pishinë si kjo."

"Shumë e dua pishinën, vij shpesh, pothuajse çdo ditë. Kam mësuar edhe not."

"Po, kanë nevojë fëmijët. Kanë nevojë edhe për shëndetin, edhe për pushim e dëfrim. Unë e sjell këtu çdo të shtunë e të diel. Mirë është." – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Pishina është e hapur nga e hëna deri të premten, nga ora 08:30 deri në 16:30, ndërsa gjatë fundjavës nga ora 09:00 deri në 21:00.

Udhëheqësi i Sektorit për Sport në Komunën e Tetovës, Muhamed Avziu, thotë se interesimi është i lartë. Ai thekson se të mërkurën dhe të shtunën, deri në orën 12:30, pishina është e rezervuar vetëm për gjininë femërore.

“Interesimi i qytetarëve për ta shfrytëzuar Pishinën e Qytetit është shumë i lartë, sidomos gjatë fundjavës. Pishina shfrytëzohet nga të gjitha grupmoshat. Edhe pse është ndërtuar kryesisht për fëmijët, kemi vizitorë nga gjenerata të ndryshme. Për gjininë femërore, pishina është e rezervuar të mërkurën dhe të shtunën nga ora 08:30 deri në 12:30, ndërsa pas kësaj është e hapur për të gjithë qytetarët. Kjo nuk do të thotë se gratë nuk mund të vijnë edhe ditët e tjera, por kanë këtë orar që të kenë më shumë privatësi. Makineria e pishinës punon 24 orë dhe uji pastrohet vazhdimisht. Gjithashtu merren mostra të ujit nga stafi i pishinës, por edhe nga Qendra për Shëndet Publik, e cila ka konstatuar se uji është shumë i pastër." – tha Muhamed Avziu, udhëheqës i Sektorit për Sport, Tetovë.

Përndryshe, në Tetovë kanë filluar të ndërtohen edhe dy pishina të tjera, një në shkollën fillore "Kirili dhe Metodi" dhe një në shkollën "Naim Frashëri". (Visar Sadiku, TVM2)