Lufta në Ukrainë, Trump intensifikon kontaktet diplomatike
Presidenti amerikan, Donald Trump...

Presidenti amerikan, Donald Trump, me rastin e Ditës së Pavarësisë, zhvilloi një sërë bisedash telefonike me liderë botërorë, mes tyre me presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me fokus luftën në Ukrainë dhe mundësitë për përfundimin e saj.
Nga Kremlini thanë se Trump edhe një herë konfirmoi gatishmërinë e tij për të punuar për përfundimin sa më të shpejtë të luftimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës.
“Emisarët e tij të posaçëm, Ëitkoff dhe Kushner, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre ndërmjetësuese dhe janë të gatshëm të udhëtojnë në Moskë në një kohë të përshtatshme. Presidentët Trump dhe Putin theksuan gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të kontakteve, përfshirë ato mbi çështjet ushtarake, politike dhe ekonomike. Ekzistojnë perspektiva të mëdha për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm mes dy vendeve. Për ta arritur këtë, sipas Trumpit, konflikti në Ukrainë duhet të përfundojë sa më shpejt” – u shpreh Këshilltari për Politikë të Jashtme në Kremlin, Yuri Ushakov.
Zelensky tha se pati një bisedë shumë konstruktive me Trumpin për situatën në vijën e frontit. Lideri ukrainas bëri thirrje për vendosmëri amerikane për t’i dhënë fund luftës më shumë se katërvjeçare me Rusinë.
“Presidenti Trump dhe unë biseduam për situatën aktuale në front, si dhe për përpjekjet tona diplomatike. Ekziston një perspektivë reale për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe vendosmëria e Amerikës është vendimtare. U dakorduam t’i vazhdojmë këto diskutime gjatë Samitit të NATO-s në Ankara”, - ka shkruar në një postim në platformën “X”, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Bisedimet zhvillohen në një periudhë të intensifikimit të aktivitetit diplomatik, pak para takimeve të reja ndërkombëtare, ku pritet të diskutohen sfidat e sigurisë dhe konfliktet globale. Samiti i Aleancës, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Turqi, është një prej tyre. Në të do të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare, ndërsa situata në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të takimit.
Ankaraja ka rritur masat e sigurisë në nivelin më të lartë. Rreth 56 mijë policë janë angazhuar në të gjithë qytetin, i cili është nën mbikëqyrje të vazhdueshme përmes më shumë se 6 mijë kamerave të monitoruara nga Qendra për Menaxhimin e Sigurisë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
