Paraeliminatoret për Eurobasket 2029, basketbollistët me gjashtë fitore kalojnë tutje
06.07.2026 13:36
Përfaqësuesja e Maqedonisë në basketboll e përfundoi fazën e parë të paraeliminatoreve për Kampionatin Evropian 2029 me rezultat maksimal...

Përfaqësuesja e Maqedonisë në basketboll e përfundoi fazën e parë të paraeliminatoreve për Kampionatin Evropian 2029 me rezultat maksimal, pasi në transfertë mposhti Luksemburgun me 80-66 dhe regjistroi fitoren e gjashtë në po aq ndeshje. Edhe pse kualifikimi për në raundin tjetër ishte siguruar më herët, përzgjedhësi Josep Maria Berrocal, në këtë takim hyri me një formacion të kombinuar.
Kapiteni Vojdan Stojanovski nuk luajti asnjë minutë. Më i disponuar për të shënuar pikë në këtë takim ishte debutuesi Nate Sestina me 18 pikë. Viktor Tashovski shënoi 16 pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime, ndërsa Valmir Kakruki dhe Viktor Efremovski e mbyllën ndeshjen me nga 12 pikë.
Maqedonia fazën e dytë të paraeliminatoreve për EuroBasket 2029 do ta nisë në fund të muajit gusht, ndërsa kundërshtarët do t’i mësojë pas shortit që do të hidhet më 15 korrik në Mynih. (Gazetar: Safet Ademi)
