Rusia vazhdon sulmet në Ukrainë, 11 të vrarë dhe disa të plagosur në Kiev

06.07.2026 14:13

Sulmet ruse kanë vazhduar në disa rajone të Ukrainës...

Sulmet ruse kanë vazhduar në disa rajone të Ukrainës. Ushtria ruse ka përdorur raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë, në sulmet ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit dhe zonave të tjera. Autoritetet ukrainase njoftuan për të paktën 11 të vrarë dhe të disa të plagosur, por edhe për dëmtim të infrastrukturës civile.

"Po bëheshim gati të flinim kur u dëgjua alarmi. M'u desh ta detyroja fëmijën tim të shkonte në strehimore. Më pas na thanë se shtëpia jonë ishte goditur dhe se ndoshta nuk kemi më ku të jetojmë.”, - tha një banore e Kievit.

"Pas goditjes, shtëpia filloi të shembej. Gjithçka po rrëzohej. Ekipet e emergjencës nisën evakuimin e banorëve, më vonë pasoi edhe një goditje tjetër.", - tha një banore tjetër e Kievit.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, kishte paralajmëruar se Moska po përgatit një sulm të ri në shkallë të gjerë, prandaj u kërkoi partnerëve perëndimorë mbështetje  për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

"Duhet të ushtrojmë presion ndaj Rusisë për të arritur paqen. Ukraina i ka paraqitur të gjitha propozimet dhe ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë diplomatike. Presim që në muajt në vijim të krijohen kushtet për një paqe të dinjitetshme, qoftë përmes forcës apo diplomacisë.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Nevoja urgjente e Ukrainës për më shumë mbrojtje ajrore do të diskutohet në samitin e NATO-s këtë javë në Turqi, ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan Donald Tramp planifikon të takohet me presidentin ukrainas Zelenskin në samitin e  NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Turqi, ndërsa paraprakisht Tramp ka apeluar për ndërprerjen e luftës dhe arritjen e marrëveshjes për paqe. (Gyltene Sinani, TVM2)