Gjykimi për tragjedinë në diskotekën "Puls", prezantohen komunikime telefonike
Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria...

Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria, vazhdoi gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.
Prokuroria prezantoi listat e komunikimeve telefonike mes të pandehurit të parë, pronarit të diskotekës, dhe të pandehurit të tretë, djalit të tij.
Nga këto komunikime rezulton se ai shpesh ishte paralajmëruar për kontrollet që do të zhvilloheshin në diskotekë, me udhëzimin që të largoheshin të miturit.
Gjithashtu, u prezantua edhe një listë e bisedave telefonike me persona zyrtarë dhe pjesëtarë të policisë.
Familjarët e viktimave vlerësojnë se provat e paraqitura sot hapin pyetjen nëse nevojiten hetime shtesë dhe përgjegjësi për të gjithë personat që u përmendën gjatë seancës.
“Në seancën e sotme u hapën çështje serioze pas prezantimit të komunikimeve mes Dekos, Mihaelit dhe disa zyrtarëve policorë institucionalë. Këto komunikime ngrenë dyshime nëse ka ekzistuar mbrojtje institucionale dhe ndikim mbi kontrollet dhe procedurat. Njëkohësisht, komunikimet mes babait dhe djalit hapin pyetje për rolin e Mihaelit në punën dhe vendimmarrjen. Për herë të parë, publiku pa emrat e personave që kanë pasur kontakte dhe komunikime të rëndësishme me pronarët e diskotekës “Puls” dhe “Klasik”, ndërsa ata nuk janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, - theksoi familjari i viktimave, Aleksandar Naunov.
Paraqitja e provave të Prokurorisë është drejt përfundimit. Nga provat materiale të propozuara nga Prokuroria kanë mbetur të paraqiten ekspertiza ndërtimore dhe deklarimet e ekspertëve.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria, mbrojtja do të fillojë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj, ndërsa janë paralajmëruar edhe dy ekspertiza.
Aktakuzën e Prokurorisë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë. (Florije Kamberi, TVM2)
