Autostrada Shkup-Bllacë, BDI akuzon për vonesa, VLEN kërkon përgjegjësi nga ish-qeverisja

06.07.2026 15:08

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë...

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë ka nxitur përplasje politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, akuzoi Qeverinë se për dy vjet ka justifikuar mosnisjen e punimeve me pretendimin se po ndryshohej trasa e autostradës, ndërsa sipas tij, me nënshkrimin e kontratës është dëshmuar se projekti ka mbetur i pandryshuar.

“Financimi ishte siguruar, projekti ishte përfunduar, shpronësimet ishin realizuar dhe procedurat e tenderimit ishin nisur. Dy vite u humbën duke mashtruar opinionin me një “ndryshim traseje”, që nuk ka ekzistuar kurrë.”, - deklaroi Bujar Osmani nga BDI.


LEXO GJITHASHTUAutostrada Shkup – Bllacë, në gusht do të nisë ndërtimi, kushton rreth 200 milionë euro


Nga ana tjetër, Saranda Imeri nga VLEN i vlerësoi se kritikat e Osmanit janë të pabazuara, duke rikujtuar se ai për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e qeverive që kanë udhëhequr vendin dhe kanë marrë vendime për projektet infrastrukturore.

“Është e çuditshme të shohësh sot Bujar Osmanin duke kërkuar llogari për vonesa, kur për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e strukturave më të larta të pushtetit. Ai ka ushtruar funksione të rëndësishme ministrore dhe ka qenë pjesë e qeverive që kanë marrë vendimet kryesore për projektet infrastrukturore.”, - theksoi Saranda Imeri nga VLEN.

Imeri theksoi se qytetarët presin përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë qenë pjesë e pushtetit ndër vite, duke shtuar se edhe ish-funksionarët duhet të japin llogari për periudhën kur kanë pasur mundësi të realizojnë projekte të tilla.

Autostrada Shkup–Bllacë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore. (Gyltene Sinani, TVM2)