Maqedoni
Propozim-ribalanci i buxhetit, ribalanci përplas pushtetin dhe opozitën
06.07.2026 16:08
Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi shqyrtimin në lexim të dytë të propozim-ribalancit të Buxhetit për vitin 2026...

Me debat të shoqëruar me qëndrime pro dhe kundër, Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi shqyrtimin në lexim të dytë të propozim-ribalancit të Buxhetit për vitin 2026. Deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçulevski, vlerësoi se ribalanci i propozuar është pranim i planifikimit të gabuar dhe i politikave të pasuksesshme ekonomike të Qeverisë. Sipas tij, me këtë dokument rritet sërish deficiti buxhetor dhe huamarrja, duke paraqitur rrezik për qytetarët dhe bizneset. Ai theksoi se Qeveria nuk mund të flasë njëkohësisht për stabilitet ekonomik dhe, në të njëjtën kohë, të propozojë rritje të konsiderueshme të deficitit buxhetor. Sipas tij, të ardhurat totale rriten për 4.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale për 11.6 miliardë denarë, pa u paraparë asnjë projekt i ri kompleks infrastrukturor me rëndësi shtetërore. Opozita alarmon se ky ribalanc nuk duhet të trajtohet si një harmonizim teknik, pasi ndryshon pasqyrën kryesore fiskale.
“Qeveria projekton një buxhet prej 6.7 miliardë eurosh, historikisht më i madhi deri më tani, por ai nuk bazohet në projeksione reale. Përkundrazi, mbështetet në parashikime tepër optimiste, të cilat, nëse nuk realizohen, do ta përkeqësojnë gjendjen fiskale të vendit. Këtë po e shohim që me ribalancin e parë të këtij viti. Për vitin 2026 planifikohet huamarrje e re prej mbi 120 miliardë denarësh, përfshirë emetimin e një euroobligacioni të ri dhe huamarrje në tregun e brendshëm. Kjo nënkupton rritje të vazhdueshme të borxhit dhe të kostove të interesit.”, - deklaroi Mitko Trajçulevski nga LSDM.
Ndërkohë, nga shumica parlamentare vlerësuan se akuzat e LSDM-së janë të pabaza. Sipas tyre, pavarësisht krizave globale, ekonomia e Maqedonisë së Veriut po tregon qëndrueshmëri dhe stabilitet, duke shënuar rezultate pozitive edhe në investimet kapitale. Sipas tyre, është rritur standardi i qytetarëve përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Në tremujorin e parë të vitit 2026, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rritje reale prej 3.1 për qind, ndërsa projeksioni për të gjithë vitin është 3.5 për qind. Veçanërisht e rëndësishme është se kjo rritje nuk bazohet vetëm në një sektor. Shërbimet u rritën me 3.6 për qind, ndërtimtaria me 7.2 për qind, ndërsa bujqësia me 2.2 për qind. Kjo tregon se aktiviteti ekonomik po zhvillohet njëkohësisht në disa sektorë dhe se zhvillimi ka bazë më të gjerë.”, - theksoi Martin Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Për ribalancin janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente. Sipas Rregullores së Kuvendit, debati në komision mund të zgjasë deri në dhjetë ditë pune, pas së cilës propozimi do të kalojë në seancë plenare. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, ka bërë të ditur se ndryshimet nuk janë rezultat i mungesës së të ardhurave apo i problemeve me likuiditetin, por i nevojës për harmonizimin e projeksioneve buxhetore me kushtet aktuale ekonomike. Me ribalancin e propozuar, të ardhurat totale parashihen në 379.5 miliardë denarë, ndërsa të ardhurat tatimore mbeten pothuajse të pandryshuara në 213.2 miliardë denarë. Të ardhurat jotatimore rriten me afro 2 miliardë denarë, ndërsa donacionet me rreth 2.7 miliardë denarë. Shpenzimet totale rishikohen në 425.8 miliardë denarë.
FLORIJE KAMBERI
