Rajon

Certifikimi i rezultateve, Elezi: KQZ-ja po pret vendimet e Supremes

06.07.2026 16:26

Elezi ka deklaruar se KQZ është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor....

Zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor.
 
“Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve.”, ka deklaruar Elezi.
 
Ndryshe, KQZ-ja ka publikuar më 27.06.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor. Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 %  të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69% të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74% të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40% të votave.