Maqedoni
Inspektohen punimet në “Venec 1” në Dibër, Sali: Projektet infrastrukturore po nxisin zhvillimin lokal
06.07.2026 16:52
Sali së bashku me Melën kanë inspektuar punimet ndërtimore në lagjen e re “Venec 1”...

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane Bekim Sali, së bashku me kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, kanë inspektuar punimet ndërtimore në lagjen e re “Venec 1”, ku po zhvillohet ndërtimi i bulevardit të ri si një nga projektet kryesore infrastrukturore në këtë komunë.
“Jemi këtu për të parë punimet në bulevardin e lagjes së re në “Venec 1”. Siç mund të shihet, punimet po zhvillohen me intensitet shumë të mirë dhe shpresojmë që të përfundojnë brenda një afati sa më të shkurtër kohor. Kemi dy kompani të kontraktuara që po punojnë paralelisht në këtë projekt, i cili është projekti me vlerën më të madhe financiare në Komunën e Dibrës, rreth 530 mijë euro.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, thotë se Qeveria pa rezerva e përkrah pushtetin lokal dhe se vazhdimisht po punohet në zhvillimin e vendbanimeve shqiptare.
"Është kënaqësi për mua të shoh se kryetari i ri i Komunës së Dibrës, me energjinë e tij pozitive dhe idetë inovative, po kontribuon që Dibra të shndërrohet në një destinacion të ri për turizëm dhe investime. Punimet infrastrukturore që po realizohen aktualisht janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Shpresojmë që në të ardhmen ato të nxisin investime të reja dhe zhvillimin e bizneseve, duke u krijuar banorëve të Dibrës më shumë mundësi për t'u kthyer dhe për të jetuar e punuar në vendlindjen e tyre.", - theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Bulevardi, ndërtimi i të cilit ka nisur tashmë, do të ketë një gjatësi prej 628 metrash dhe gjerësi prej 28 metrash. Ai do të përbëhet nga dy rrugë paralele me dy kahje qarkullimi, korsi për biçikleta, trotuare dhe hapësira të gjelbra. Paralelisht, po realizohet edhe investimi për ndërtimin e 200 metrave kanalizim fekal. Sali po ashtu tha se së shpejti do të intensifikohet takimet rreth projektimit të aksit rrugor Kërçovë – Dibër.
REXHEP QAMILI
