Maqedoni

ShGM prezantoi Kodin e ri, bëhet harmonizimi me sfidat bashkëkohore

07.07.2026 14:14

ShGM-ja, Këshilli për Etikë në Media dhe Instituti Maqedonas për Media zyrtarisht prezantuan Kodin e ri të Gazetarëve të Maqedonisë..

ShGM-ja, Këshilli për Etikë në Media dhe Instituti Maqedonas për Media zyrtarisht prezantuan Kodin e ri të Gazetarëve të Maqedonisë, një dokument që paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e standardeve profesionale dhe etike në gazetari. Kodi i ri është harmonizuar me sfidat bashkëkohore mediatike me të cilat përballen mediat dhe gazetarët, thanë përpiluesit e këtij kodi. Sipas tyre, mesazhi kryesor i këtij dokumenti është se gazetarët nuk janë kundër teknologjive të reja. Përkundrazi, inteligjenca artificiale tashmë është e pranishme në redaksi dhe mund të ndihmojë shumë në punën e përditshme, por asnjëherë nuk mund ta zëvendësojë rolin e gazetarit profesional dhe etik.
 
“Ky kod për herë të parë trajton publikisht sfidat e epokës digjitale. Ai vendos rregulla dhe udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale, forcon standardet e transparencës, korrigjimeve dhe menaxhimit të konfliktit të interesit, si dhe i kushton më shumë rëndësi mbrojtjes së dinjitetit të viktimave, mbrojtjes së fëmijëve, privatësisë dhe raportimit të përgjegjshëm në situata të ndjeshme.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
 
“Sjellja e Kodit të ri Etik vendos rregulla të reja pas 25 vitesh, duke u adaptuar ndaj sfidave të reja profesionale, sfidave të cilat i kemi edhe në hapësirën e zhvillimit të teknologjisë dhe kësaj periudhe të digjitalizimit dhe të shpërndarjes së informacioneve në një hapësirë më të gjerë në rrjetet sociale. Me Kodin e ri Etik ne vendosim rregulla të reja, të cilat nuk e kufizojnë gazetarinë etike dhe profesionale, përkundrazi ato e përforcojnë integritetin dhe autoritetin e gazetarisë.”, - theksoi kryetarja e Këshillit Etik për Media, Leunora Kaliqi.
 
“Tanimë vjen ndoshta pjesa më e vështirë, e ajo është zbatimi i këtyre kodeve etike dhe standardeve në punën e përditshme të gazetarëve. Për këtë nevojitet mobilizim dhe përkushtim nga të gjitha mediat dhe gazetarët, por po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e politikanëve, e biznesit dhe mbi të gjitha e qytetarëve. Qytetarët duhet të shfrytëzojnë mekanizmat e vetërregullimit në kuadër të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit për Etikë dhe vetë mediave, si dhe të kërkojnë që puna gazetareske të zhvillohet në përputhje me këtë kod etik.”, - u shpreh drejtorja e Institutit Maqedonas për Media, Biljana Petkovska.
 
Në periudhën që vjen do të realizohet edhe një fushatë për edukimin e publikut lidhur me Kodin e ri Etik, ndërsa në bashkëpunim me Servisin Publik do të punohet gjithashtu për përgatitjen e një propozimi për rishikimin e Kodit ekzistues Etik të Servisit Publik, thanë përfaqësuesit e fellës së gazetarisë. Kodi i ri Etik i Gazetarëve është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, pas pothuajse dy vitesh pune intensive dhe në bashkëpunim të ngushtë me fellën e gazetarëve. Në të janë përfshirë rekomandimet dhe sugjerimet e gazetarëve, me qëllim që dokumenti të pasqyrojë standardet më të larta profesionale dhe etike të profesionit. Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Gazetarëve është mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes programit “Civica Mobilitas”.
 
REXHEP QAMILI