Botë
Ankara, filloi samiti dyditor i NATO-s
07.07.2026 14:25
Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s po marrin pjesë në samitin dyditor që po mbahet në Ankara të Turqisë...

Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s po marrin pjesë në samitin dyditor që po mbahet në Ankara të Turqisë. Në fokus të samitit janë investimet në mbrojtje, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe ndihma për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës u bëri thirrje vendeve anëtare të japin kontributin e tyre dhe të sigurojnë që Ukraina të marrë gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur sovranitetin e saj.
“Para një viti në Hagë, Aleanca u zotua të investojë shumë më tepër në mbrojtje, pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Tashmë kemi bërë përparim të konsiderueshëm. Ramë dakord të rrisim kapacitetet prodhuese të industrisë së mbrojtjes. Një vit më vonë, në Ankara po prezantojmë rezultatet. Sot, Aleanca dhe industritë nga të dy anët e Atlantikut do të shpallin projekte të mëdha.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
“Shpenzimet për mbrojtjen janë një angazhim i rëndësishëm politik, por vetëm shpenzimi nuk mjafton. Ajo që ka vërtet rëndësi është ndërtimi i një strategjie shumëdimensionale të mbrojtjes, e cila përballet me kërcënime si manipulimet e krijuara nga inteligjenca artificiale, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe erozioni i besimit publik, duke investuar njëkohësisht në kapacitete reale ushtarake. Roli i Turqisë në Aleancë pasqyron pikërisht këtë qasje, që besoj se është ajo që përfaqëson NATO 3.0.”, - theksoi drejtori i Komunikimeve, i Turqisë, Burhanedin Duran.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, kërkon më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe licencë për prodhimin e sistemit “Patriot”. Këto çështje pritet të diskutohet edhe gjatë takimit të paralajmëruar me presidentin e Shteteve të Bashkuara.
“Është krejtësisht e pakuptimtë që, në botën e sotme, prodhimi ende nuk është rritur në nivelin që nevojitet realisht për të mbrojtur njerëzit nga terrori balistik. Prej kohësh kemi theksuar se jemi të aftë të prodhojmë vetë armë të tilla mbrojtëse. Nëse Ukraina do të kishte marrë licenca amerikane për prodhimin e sistemit Patriot, prodhimi ynë do të ishte i mjaftueshëm jo vetëm për mbrojtjen e Ukrainës, por edhe për t’u ardhur në ndihmë partnerëve tanë në nevojë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Në Ankara ndodhet edhe presidenti amerikan Tramp, i cili vazhdon të kritikojë kontributin e vendeve anëtare për kontributin në sigurinë e përbashkët. Trampi ka shqyrtuar mundësinë e reduktimit me, deri në një të tretën të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, si reagim ndaj refuzimit të disa aleatëve për t’iu bashkuar operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit. Në këtë kuadër, Pentagoni ka pezulluar vendosjen e kontingjenteve ushtarake në Evropë dhe ka nisur një rishikim gjashtëmujor të pranisë së forcave amerikane në kontinent.
GYLTENE SINANI
