Maqedoni
Strugë, filluan punimet për Kolektorin Lindor
07.07.2026 14:37
Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës pranë FON-it, e cila quhet Kolektori Lindor në Strugë...

Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës pranë FON-it, e cila quhet Kolektori Lindor në Strugë, një projekt infrastrukturor që realizohet nga Komuna e Strugës në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit.
"Falë angazhimit të Komunës së Strugës, Ministrisë së Transportit dhe kompanive zbatuese, kemi arritur të nisim realizimin e kësaj rruge, e cila është shumë e rëndësishme për infrastrukturën e qytetit. Ky është segmenti i parë dhe kemi arritur marrëveshje me qytetarët për shpronësimin, pas një procesi që për më shumë se 20 vjet nuk kishte gjetur zgjidhje.", - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Sipas kryetarit Qyra, komuna tashmë po përgatitet edhe për fazën e dytë të projektit, ndërsa synimi është që punimet në segmentin drejt rrugës magjistrale në Moroishtë të nisin në fund të këtij viti ose gjatë vitit 2027.
Në kuadër të Kolektorit Lindor, përveç ndërtimit të rrugës, janë paraparë edhe investime në infrastrukturë.
"Komuna ka miratuar projektin për zëvendësimin e gypave të asbestit, me një vlerë prej rreth 9.5 milionë denarësh. Gjithashtu, po realizohet edhe rrjeti i kanalizimit atmosferik, një fazë që mungonte në projektin themelor, me investim prej 10.1 milionë denarësh, përfshirë TVSh-në.", - theksoi arkitekti i Komunës së Strugës, Osman Osmani.
Projekti përfshin gjithashtu edhe ndërtimin e rrjetit të ndriçimit rrugor, ndërsa autoritetet komunale vlerësojnë se Kolektori Lindor do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën dhe qarkullimin në këtë pjesë të Strugës.
FITORE ISTREFI
