Maqedoni
Kodi i ri zgjedhor, dështojnë bisedimet, shkak dallimet politike
07.07.2026 15:06
Bisedimet për kodin zgjedhor, me një dështim të radhës...

Bisedimet për kodin zgjedhor, me një dështim të radhës. Ndasi, jo vetëm midis opozitës dhe pushtetit, por edhe midis kampit opozitar shqiptar. Lidhja Shqiptare, e cila është shprehur për lista të hapura, tetë njësi zgjedhore, kërkon që me votimin elektronik, diaspora të përfshihet edhe në zgjedhjet lokale. Ata kritikuan BDI-në se nuk kishte marrë në konsideratë një opsion të tillë.
“VMRO dëshiron ta mbajë larg diasporën nga zgjedhjet lokale për shkak se dëshiron që ta rifitojë përsëri Kërçovën në zgjedhjet e ardhshme. VMRO dëshiron ta mbajë larg diasporën nga zgjedhjet lokale, sepse dëshiron që Bërvenicën përsëri ta fitojë tani kur do të përsëriten zgjedhjet. VMRO dëshiron ta mbajë diasporën larg zgjedhjeve lokale në formë elektronike, për shkak se dëshiron ta rifitojë përsëri Butelin, e shumë e shumë komuna të tjera. Unë nuk e kuptoj se si BDI dhe VLEN do t’i drejtohen diasporës që të vijnë e të votojnë kur veprojnë sipas planit të VMRO – DPMNE-së!?”, - theksoi kryetari i Lidhjes Shqiptare, Zijadin Sela.
BDI është për një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe prag zgjedhor prej 5%. Thonë se bisedimet dështuan pasi VMRO-DPMNE në tavolinë prezantoi dy propozime të reja, votimin me postë të diasporës, dhe aktet nënligjore të KShZ-së që lidhen me votimin elektronik të diasporës të miratohen me shumicë votash e jo me konsensus.
“Për ne kjo është e papranueshme, sepse hap rrugën për “inziniering” politik dhe mbi votim, siç ndodhi në vitin 2024, kur anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, mbivotohej nga përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe të VLEN-it.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
Kërkesat e reja të VMRO-DPMNE-së nuk janë pranuar as nga LSDM-ja dhe Lidhja Shqiptare. Megjithatë, VMRO-DPMNE ftoi opozitën të ulet dhe të dakordojë qëndrimet për katër dallime që kanë. Ata janë të gatshëm të pranojnë gjithçka në këmbim të votës së diasporës. Për VLEN-in pak rëndësi ka nëse diaspora voton në formë elektronike apo me postë, vetëm se procesi të jetë transparent.
“Të ulen dhe dakordohen për një njësi zgjedhore, për modelin e financimit, kundërshtesat dhe mënyrat se si ato të pranohen, por edhe për modelin e votimit të diasporës. Gjithë këtë, këto parti opozitare do të na e ofrojnë neve nëpërmjet një teksti ligjor, ne këtë do ta pranojmë.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
“Vazhdojnë përpjekjet tona të vazhdueshme si koalicion qeveritar që të gjejmë një zgjidhje, sepse është një nga proceset më të rëndësishme të demokracisë. Ne e kemi shtrirë dorën e konsensusit, ju kemi dhënë mundësi që të thonë propozimet e tyre dhe në shumë pjesë kemi rënë dakord.”, - theksoi Bekim Qoku nga VLEN.
Por, opozita shqiptare e konsideron si të mbyllur procesin tanimë. E Majta mban shpresa për kompromis edhe përkundër dyzimeve për manipulime.
“Për të kaluar një njësi zgjedhore, ne thamë si pilot projekt le të jetë votimi i diasporës me postë vetëm për presidencialet. Kjo sot u pranua nga VMRO-DPMNE dhe thanë se është qëndrimi i mbarë koalicionit. Megjithatë ne kemi dyshime se këtu ekziston marrëveshje midis partive më të mëdha, që të mos kalojë modeli një njësi zgjedhore.”, - deklaroi deputeti i Së Majtës, Borisllav Kërmov.
Socialdemokratët kategorikisht janë shprehur kundër votimit elektronik të diasporës, por edhe me postë, pasi, sipas tyre, kjo i hap rrugën pushtetit për të manipuluar votat. Bllokadën parlamentare të miratimit të kodit zgjedhor përpos 13 mijë amendamentet e LSDM-së dhe Së Majtës, tani më e rëndojnë edhe 300 amendamentet e partisë së Selës.
MERAL ISMAILI
