Eurobasket 2029, Maqedonia mësoi kundërshtarët e saj për raundin e dytë
Me një sukses maksimal prej gjashtë fitoresh në po aq ndeshje...

Me një sukses maksimal prej gjashtë fitoresh në po aq ndeshje, përfaqësuesja e Maqedonisë në basketboll për meshkuj e mbylli raundin e parë të parakualifikimeve për EuroBasket 2029, duke zënë vendin e parë në Grupin A dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme të ciklit kualifikues.
Pas përfundimit të ndeshjeve të raundit të parë, janë bërë të njohura katër kombëtaret që siguruan drejtpërdrejt kualifikimin në raundin e dytë të parakualifikimeve.
Krahas Maqedonisë, në këtë fazë kaluan edhe Sllovakia, Bullgaria dhe Norvegjia.
Në raundin e dytë do të marrin pjesë gjithsej 12 përfaqësuese, të ndara në katër grupe me nga tri skuadra.
Katër fituesve të raundit të parë do t’u bashkohen edhe tetë kombëtaret që do t’i përfundojnë kualifikimet për Kupën e Botës 2027 në vendin e katërt të grupeve të tyre.
Me përfundimin e këtyre kualifikimeve, është përcaktuar edhe rrethi i kundërshtarëve të mundshëm të Maqedonisë në shortin e ardhshëm.
Përfaqësuesja vendit mund të jetë në grup me Danimarkën, Rumaninë, Zvicrën, Britaninë e Madhe, Qipron, Belgjikën, Austrinë dhe Çekinë.
Shorti për formimin e katër grupeve të raundit të dytë të parakualifikimeve për EuroBasket 2029 do të hidhet më 15 korrik, kur do të bëhet i njohur edhe kalendari i ndeshjeve për fazën e re të ciklit kualifikues.
