Maqedoni

Kaltrina Zekolli Shaqiri: Autostrada Shkup–Bllacë do të sjellë zhvillim ekonomik dhe lidhje më të forta me Kosovën

08.07.2026 11:44

Zekolli Shaqiri vlerësoi se realizimi i projektit të autostradës Shkup–Bllacë do të ketë përfitime të shumta për qytetarët dhe ekonominë...

Në edicionin e lajmeve në TVM2, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, vlerësoi se realizimi i projektit të autostradës Shkup–Bllacë do të ketë përfitime të shumta për qytetarët dhe ekonominë.
 
Ajo theksoi se ky projekt nuk do të përmirësojë vetëm lidhjen me Kosovën, por do të krijojë një korridor të rëndësishëm rajonal që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë, përmes porteve të Durrësit dhe Barit.
 
Sipas Zekolli Shaqirit, autostrada do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt, do të nxisë zhvillimin e turizmit, do të forcojë lidhjet familjare ndërmjet qytetarëve dhe do të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve të reja.
 
Ajo shtoi se përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të ndikojë edhe në lehtësimin e transportit të mallrave, duke rritur efikasitetin ekonomik dhe duke kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës.