Maqedoni
Zekolli Shaqiri: Traseja e projektit nuk ndryshon, synohet përshpejtimi i ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë
08.07.2026 11:47
Projekti i autostradës Shkup–Bllacë nuk duhet të zvarritet edhe për shumë vite të tjera...

Projekti i autostradës Shkup–Bllacë nuk duhet të zvarritet edhe për shumë vite të tjera, pasi bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin. Edhe pse është një projekt kompleks dhe me kosto të lartë, punët kanë vazhduar dhe nuk ka pasur stagnim.
Në edicionin e lajmeve të TVM2, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, tha se natyra e terrenit ka ndikuar në vështirësinë dhe koston e realizimit të projektit.
Ajo theksoi se traseja kalon në një zonë kodrinore-malore, ku nevojiten tunele dhe mure mbajtëse, elemente që e bëjnë projektin më të kushtueshëm dhe teknikisht më sfidues.
“Ky është një nga projektet më të kushtueshme. Vetë natyra e projektit, sepse është në terren kodrinor-malor, me shumë tunele dhe mure mbajtëse, e bën më të vështirë dhe më të kushtueshëm realizimin”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Ajo tha se periudha prej 24 muajsh nuk duhet të krahasohet me pritjen shumëvjeçare të këtij projekti.
“Ka pasur procese që kanë marrë kohë, por nuk ka pasur stagnim. Nuk është varur gjithçka vetëm prej nesh, kemi pasur rregulla dhe procedura që duhej të respektoheshin. Dy vite, pra 24 muaj, në krahasim me 24 vite pritje, besoj se vetë krahasimi e tregon situatën”, u shpreh Zekolli Shaqiri.
