Kodi i ri zgjedhor, pushteti fton për kompromis ndërpartiak
Pushteti nuk shuan optimizmin për arritjen e kompromisit....

Pushteti nuk shuan optimizmin për arritjen e kompromisit për kodin zgjedhor. Nga VMRO - DPMNE ftojnë edhe njëherë opozitën që të arrijnë unanimitet në qëndrime midis veti, ndërkaq VMRO – DPMNE është e gatshme të pranojë gjithçka vetëm diaspora të votojë në formë elektronike ose me postë.
Sipas partisë së Mickoskit, opozita duhet të dakordohet për një njësi zgjedhore, për modelin e financimit, për kundërshtesat, por edhe për modelin e votimit të diasporës.
“Nuk mundet që një ditë të dakordohen, ndërkaq ditën tjetër të bllokojnë ligjin e njëjtë që veç më është dakorduar. Nuk mund që në opinion të plasojnë teza të ndryshme, ndërsa prapa dyerve të mbyllura të negociojnë për çështje krejtësisht të tjera.”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO – DPMNE-së, Valentin Manasievski.
Edhe nga VLEN-i kanë zgjatur dorën për gjetjen e kompromisit. Opozita shqiptare u shpreh pesimiste për vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e gjuhës së përbashkët.
Lidhja shqiptare e Ziadin Selës akuzoi BDI-në se po punon në të mirën e VMRO-DPMNE-së.
Ndasitë u zgjeruan edhe tek partitë maqedonase opozitare. E Majta fajëson LSDM-në se ka dobësuar pozicionet e opozitës.
“Mospjesëmarrja e LSDM-së në takimin e liderëve dhe në grupin e punës për kodin zgjedhor dobësoi pozicionet e opozitës. LSDM-ja kompromitoi pozicionet tona të përbashkëta opozitare. Andaj edhe jemi në një situatë të tillë. E Majta në të gjithë këtë hapësirë ofron kompromise. Ftojmë opozitën që të shqyrtojë propozimin tonë: të mundësohet votimi i diasporës me postë për presidencialet dhe në këmbim opozita të fitojë një njësi zgjedhore.”, - theksoi deputeti i Lëvizjes “E Majta”, Amar Mecinoviq.
Por, për socialdemokratët dështimi i bisedimeve të djeshme i ka bërë të ripërsërisin qëndrimin e tyre se VMRO-DPMNE-ja është e interesuar vetëm për vjedhje zgjedhore dhe manipulim të 200 mijë votave të diasporës. (Meral Ismaili, TVM2)
