Maqedoni

Komisioni për Financa dhe Buxhet, shqyrtimi i amendamenteve për ribalancin

08.07.2026 14:35

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit....

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit. Me anë të amendamenteve, opozita kërkoi më shumë mjete për projekte infrastrukturore, mbështetje për bizneset dhe investime në fusha të ndryshme. Nga BDI, ndër të tjera, kërkuan që në këtë ribalanc të sigurohen 120 milionë denarë për zgjerimin dhe modernizimin e vendkalimit kufitar Bllacë, duke vlerësuar se pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, ky vendkalim ka marrë një rëndësi të re.
 
“Pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, vendkalimi kufitar Bllacë nuk është më një pikë kufitare lokale. Ai është bërë porta kryesore lidhëse ndërmjet RMV-së dhe Shqipërisë për mijëra qytetarë, biznesmenë dhe turistë. Prandaj, propozoj që të ndahen 120 milionë denarë për zgjerimin dhe modernizimin e këtij vendkalimi. Kjo shumë nuk është e madhe në raport me rritjen prej miliarda denarësh të investimeve kapitale në këtë ribalanc, por për rajonin tonë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Arbana Palloshi.
 
Por, ky amendament u refuzua me arsyetimin se mjetet janë planifikuar në përputhje me dinamikën e realizimit të projekteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
 
“Mjetet e parashikuara për qendrat rajonale për punë kufitare janë të harmonizuara me dinamikën e realizimit në kuadër të projekteve deri në fund të vitit në MPB dhe do të sigurohen. Pikërisht për këto arsye, amendamenti nuk pranohet.”, - theksoi zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nikollçe Jonkullovski.
 
Një pjesë e amendamenteve të propozuara kishin të bënin edhe me rritjen e bllok donacioneve për komunat, përmirësimin e infrastrukturës komunale, si dhe rritjen e mjeteve për mbledhjen, grumbullimin dhe pastrimin e ujërave të zeza në fshatrat Jabollçishtë dhe Drenovë në Komunën e Çashkës. Deputetët socialdemokratë, përmes amendamenteve, ndër të tjera kërkuan që në ribalancin e buxhetit të sigurohen më shumë mjete për mbështetjen e kompanive. Ndërkohë, deputetët e mazhorancës thonë se Qeveria i mbështet kompanitë me miliona euro përmes programeve të saj qeveritare.
 
“Me amendamentin e propozuar sigurohen 50 milionë denarë për mbështetje financiare të kompanive të vogla dhe të mesme, të cilat janë baza kryesore e ekonomisë së brendshme. Këto gjëra janë kryesore për produktivitetin, zhvillimin lokal, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për mbajtjen e të rinjve në vendlindje.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Borçe Cetkov.
 
“LSDM-ja propozon 50 milionë denarë për mbështetje, ndërsa nga e njëjta foltore, e njëjta parti për gati dy vite kritikon kur kjo Qeveri, me kushte jashtëzakonisht të favorshme, shpërndau për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 15.3 miliardë denarë. Edhe këtu, LSDM-ja gjatë ditëve të fundit po përhap të pavërteta, duke pyetur se ku është një miliard eurosh nga Hungaria.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Të ardhurat totale në ribalanc janë projektuar në 379.2 miliardë denarë, që është një rritje prej gati 4.2 miliardë denarë ose 1.1 për qind krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2026. Shpenzimet totale janë parashikuar në 425.2 miliardë denarë. Janë siguruar mjete shtesë për investime kapitale, të cilat arrijnë gati 46 miliardë denarë dhe janë rritur me gati 5.8 miliardë denarë, që është një rritje prej 14.5 për qind. Rritja ekonomike është parashikuar në 3.5 për qind, inflacioni në 4.5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 4.1 për qind të PBB-së. Ky ribalanci, sipas mazhorancës, nuk është rezultat i mungesës së të ardhurave ose likuiditetit të shkatërruar, por më tepër i nevojës për të përafruar parashikimet e buxhetit me kushtet aktuale ekonomike globale.
 
REXHEP QAMILI