Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, iniciativa për reklamim politik mbetet e hapur

08.07.2026 15:04

Gjykata Kushtetuese nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të pranuar nismat e partive E Majta dhe Demokratët...

Gjykata Kushtetuese nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të pranuar nismat e partive E Majta dhe Demokratët për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa dispozitave të Kodit Zgjedhor, që kanë të bëjnë me reklamimin në media të partive politike. Gjyqtari raportues Osman Kadriu propozoi hapjen e procedurës për shqyrtimin e dispozitave të kontestuara, por propozimi nuk mori mbështetjen e të paktën pesë gjyqtarëve. Për këtë arsye, lënda mbetet e hapur dhe do të rikthehet në votim në një nga seancat e ardhshme. Sipas Kadriut, dispozitat e kontestuara krijojnë pabarazi mes partive politike, duke u dhënë partive më të mëdha qasje të privilegjuar në media dhe në fondet shtetërore për reklamim politik, ndërsa partitë më të vogla vendosen në pozitë diskriminuese. 
 
“Në çdo proces zgjedhor duhet të respektohet parimi i barazisë dhe qasjes së barabartë në media, si dhe shpërndarja e barabartë dhe jodiskriminuese e mjeteve publike financiare për reklamim politik me pagesë. Kjo rregullativë, e cila kontestohet dhe për të cilën vlerësoj se me të drejtë është vënë në pikëpyetje, krijon një ndarje mes partive politike, duke u dhënë partive më të mëdha qasje të privilegjuar në media dhe në mjetet shtetërore për reklamim, ndërsa partive më të vogla, në mënyrë diskriminuese, u pamundësohet parimi i konkurrencës së drejtë gjatë fushatës zgjedhore për të gjitha llojet e zgjedhjeve.”, - deklaroi gjyqtari kushtetues, Osman Kadriu.
 
Një pjesë e gjyqtarëve vlerësuan se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shqyrtojë nëse reklamimi politik i financuar nga shteti duhet të ekzistojë apo jo, por vetëm nëse kriteret për ndarjen e mjeteve dhe hapësirës mediatike janë në përputhje me Kushtetutën.
 
“Gjykata mund dhe duhet të vlerësojë nëse modeli ligjor i zgjedhur nga ligjvënësi është i arsyetuar nga aspekti kushtetues, përkatësisht nëse është në përputhje me parimet që promovon Kushtetuta, si sundimi i së drejtës, pluralizmi politik, zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe demokratike, si dhe parimi i barazisë. Gjykata nuk e vlerëson arsyeshmërinë politike të reklamimit politik të financuar nga shteti, por nëse kriteret për shpërndarjen e këtyre mjeteve buxhetore bazohen në kritere objektive dhe të arsyeshme, nëse favorizojnë ose përjashtojnë pa arsye subjekte të caktuara politike dhe nëse sigurojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në garën zgjedhore.”, - theksoi gjyqtarja, Tatjana Vasiq Bojaxhieva.
 
Partia E Majta kërkon që Gjykata Kushtetuese t’i shfuqizojë dispozitat e kontestuara të Kodit Zgjedhor, duke argumentuar se ato favorizojnë partitë më të mëdha me më shumë hapësirë mediatike dhe fonde publike për reklama politike, ndërsa diskriminojnë partitë më të vogla. Edhe Partia Demokratët pretendon se këto dispozita janë antikushtetuese, pasi 80% e hapësirës falas për reklama politike u ndahet vetëm katër partive më të mëdha, ndërsa të gjitha partitë e tjera ndajnë vetëm 20%, gjë që, sipas tyre, cenon barazinë, pluralizmin politik dhe konkurrencën e drejtë zgjedhore.
 
FLORIJE KAMBERI