Shkëmbim zjarri ShBA-Iran, Tramp: Administrata iraniane “e çmendur”
Janë rikthyer tensionet në Lindjen e Mesme....

Janë rikthyer tensionet në Lindjen e Mesme. ShBA-ja ka kryer sulme ndaj Iranit si përgjigje ndaj sulmeve të një dite më parë mbi tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se ka goditur mbi 80 objektiva, përfshirë më shumë se 60 mjete të vogla lundruese të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Presidenti amerikan Donald Tramp nga Ankaraja ku po mbahet Samiti dyditor i NATO-s tha se administrata iraniane është “e çmendur” dhe ritheksoi se ShBA-ja do të vazhdojë të kundërshtojë çdo përpjekje të Iranit për të siguruar kapacitete bërthamore ushtarake.
“Mendoj se përfundoi, nuk dëshiroj të merrem më shumë me ta, ata janë mbeturina, ata janë njerëz të sëmurë. Nëse kanë armë bërthamore do ta përdornin. Sa më përket mua, ka përfunduar. Do të flas me negociatorët tanë, sa më përket mua është vetëm humbje kohe të punohet me ta. Ata janë gënjeshtarë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Presidenti amerikan njëherësh kritikoi vendet anëtare të NATO-s për vendimin e tyre që të qëndrojnë jashtë konfliktit me Iranin.
Rute dhe Karni: Do t’i harmonizojnë shpenzimet me ShBA-në
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, tha se e kupton zhgënjimin e palës amerikane, por vlerësoi se bëhet fjalë për raste të izoluara. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se nga bazat evropiane janë realizuar 5.000 fluturime.
“Përkushtimi është i padyshimtë, NATO-ja është atje në interes të ShBA-së që të pengojë nëndetëset ruse të përfundojnë në brigjet e ShBA-së. ShBA-ja për të mbetur e sigurt duhet t’i sigurojnë Evropën, Atlantikun dhe Antartikun. Do të thotë ekziston përkushtim i plotë i NATO-s, por ekzistojnë edhe pritshmëri se evropianët dhe kanadezët do t’i harmonizojnë shpenzimet me ShBA-në.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
NATO-ja dëshiron deeskalim të situatës pas sulmeve iraniane, deklaroi kryeministri kanadez.
“Kërcënimet me të cilat përballemi po ndryshojnë, ndryshojnë shpejt lidhur me natyrën e luftimit, luftë hibride, raketa hipersonike, luftim autonomi. Rusia është kundërshtar direkt. Ngarkesat po ndryshojnë, po barten nga ShBA-ja te Kanadaja, te Evropa, kapacitetet po ndërtohen.”, - u shpreh kryeministri i Kanadasë, Mark Karni.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit thotë se ShBA-ja ka shkelur memorandumin e nënshkruar muajin e kaluar dhe paralajmëroi se Teherani do të ndërmarrë masa vendimtare.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Iranit paralajmëron për pasojat e shkeljes së detyrimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe thekson se do të ndërmarrë çdo masë që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e interesave dhe sigurisë kombëtare.”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Paraprakisht Garda Revolucionare Islamike tha më herët se goditi objekte ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të reja amerikane kundër Iranit. Kuvajti dhe Bahrejni konfirmuan sulmet. (Gyltene Sinani, TVM2)
