Maqedoni

VLEN kërkon sqarime pas ndalimit të tre zyrtarëve në pikën kufitare Qafë Thanë

08.07.2026 21:43

Koalicioni VLEN reagoi pasi tre përfaqësues të tij u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare Qafë Thanë...

Koalicioni VLEN reagoi pasi, sipas tij, koordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare Qafë Thanë gjatë hyrjes në Republikën e Shqipërisë.

Në reagimin e VLEN-it thuhet se tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike dhe se nuk kanë marrë asnjë shpjegim zyrtar lidhur me ndalimin.

Sipas koalicionit, bazuar në informacione të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre dyshohet se ekziston një ndalesë hyrjeje, por, siç pretendohet në reagim, nuk u është paraqitur asnjë vendim, dokument apo arsyetim zyrtar.

VLEN u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë publikisht nëse ekziston një masë e tillë ndaj tre zyrtarëve. Koalicioni kërkon të bëhet e ditur se kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për zbatimin e një mase të tillë.

Në fund të reagimit, VLEN vlerëson se marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të bazohen në transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, duke kundërshtuar, siç thuhet, ndalesat e pashpjeguara dhe procedurat që lënë hapësirë për dyshime.