Ecuria ekonomike e vendit, LSDM dhe VMRO-DPMNE me akuza të ndërsjella

09.07.2026 14:55

Kur institucionet e vendit janë përqendruar...

Kur institucionet e vendit janë përqendruar tërësisht në debatin që po zhvillohet në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhet për çështjen e ribalancit të buxhetit, partitë maqedonase kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza në drejtim të njëra-tjetrës për ecurinë ekonomike të vendit. LSDM-ja opozitare ka akuzuar edhe njëherë Qeverinë dhe kryeministrin Mickoski se ka dështuar në drejtimin ekonomik të vendit.

“Mickoski përmes gënjeshtrës erdhi në Qeveri, premtoi se ekonomia e vendit do të lulëzojë, premtoi investime të mëdha, premtoi standard më të lartë jetësor, por asgjë nuk përmbushi. Dy vite pas formimit të kësaj qeverie, rezultatet janë dëshpëruese, ndërsa çmimin e këtij dështimi ekonomik po e paguajnë qytetarët, me xhepa të zbrazët, dhe çdo ditë jetë më të vështirë. Pas dy viteve qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, treguesit ekonomikë janë katastrofalë, investimet e huaja në vitin 2025 janë ulur në 61 për qind, prodhimi industrial është ulur, numri i punëtorëve në industri është ulur, shporta konsumatore kap shumën e 70 mijë denarëve.”, - deklaroi Natasha Popoviq nga LSDM.

Por, kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja, sipas deputetit të kësaj partie Bojan Stojanovski, i vetmi argument me të cilën mundohet LSDM të mbetet aktuale në skenën politike janë gënjeshtrat dhe manipulimi i opinionit.

“Edhe përkundër prognozave të opozitës dhe satelitëve të tyre, të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave tregon se inflacioni është ulur në 3.4 për qind. Ato të cilët dëshirojnë të krijojnë perceptim të rrejshëm në opinion edhe njëherë janë mposhtur rëndë nga shifrat reale. E gjithë kjo është rezultat i projeksioneve të qëndrueshme ekonomike dhe zbatimit të masave të mira ekonomike të kësaj Qeverie dhe VMRO-DPMNE-së. Derisa bota është përballur me çmimet e larta të derivateve të naftës, Maqedonia ka mbajtur nivelin e çmimeve më të ulëta, çka e konfirmoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të publikuara së fundmi nga ESHS, kanë treguar se Indeksi i çmimeve me pakicë në muajin qershor të vitit 2026 krahasuar me muajin maj të vitit 2026 është 99.2 për qind.

Indeksi i kostos për jetesë në muajin qershor të vitit 2026, krahasuar me muajin qershor të vitit 2025, shënoi rritje prej 3.4 për qind, dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 3.6 për qind. (Fitim Kryeziu, TVM2)