Lindja e Mesme, vazhdon shkëmbimi i zjarrit mes ShBA-së dhe Iranit

09.07.2026 15:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani prej dy ditësh kanë vazhduar me shkëmbimin e sulmeve. Ushtria amerikane njoftoi se në valën e fundit të sulmeve ajrore ka goditur rreth 90 objektiva iraniane.

Nga ana tjetër sirenat e alarmit u dëgjuan në Kuvajt dhe në vende të tjera të Gjirit për shkak të sulmeve iraniane.  Presidenti amerikan Tramp ka deklaruar se ShBA-ja do të godasë fuqishëm Iranin.

“Goditëm shumë fort. Kemi thënë se nëse na sulmojnë, do t’i godasim 20 herë më fuqishëm. Këtë e bëmë mbrëmë dhe sot. Sa herë që ata godasin, ne do të godasim edhe më fort. Shtetet e Bashkuara kanë shumë mënyra për ta fituar luftën me Iranin dhe ne tashmë kemi fituar ushtarakisht. Ata na telefonuan pak më parë. Duan me çdo kusht të arrijnë një marrëveshje. Vetëm nuk e di nëse janë të denjë për një marrëveshje dhe nëse do ta respektojnë atë. Ky është problemi.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Por, kryenegociatori i Iranit tha se shkelja e premtimeve nuk do të mbetet më pa pasoja. Ndërsa Hezbollahu ka thanë se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por kanë refuzuar të heqin dorë nga pozicionet e tyre në terren. Në të njëjtën kohë, Libani dhe Izraeli njoftuan se do të vazhdojnë bisedimet në Uashington.

“Nuk do të tërhiqemi në konflikte të brendshme, por nuk do të lejojmë askënd të na sulmojë ose të na minojë. Prioriteti ynë është rikthimi i sovranitetit dhe largimi i pranisë izraelite. Askush nuk do të na imponojë zgjidhje. Zgjidhjet duhet të diskutohen dhe të dakordohen së bashku.”, - theksoi Naim Kasem, Hezbullah.

Autoritetet iraniane raportojnë se bombardimet amerikane kanë goditur zonën perëndimore të vendit duke shkaktuar edhe viktima. Tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi amerikan në periferi të qytetit të Ahvazit, në provincën Khuzestan.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se forcat amerikane kanë sulmuar pesë provinca në dy ditët e fundit, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur 78 të tjerë. (Gyltene Sinani, TVM2)