VLEN: Autostrada Shkup - Bllacë në fazën e realizimit

09.07.2026 17:01

Autostrada Shkup-Bllacë...

Autostrada Shkup-Bllacë, një nga projektet infrastrukturore më të përfolura ndër vite, po hyn në fazën e realizimit, theksojnë nga koalicioni VLEN, duke vlerësuar se projekti ka kaluar nga premtimet në zbatim.

Sipas VLEN-it, segmenti i dytë i autostradës, me gjatësi rreth 10.5 kilometra, përfaqëson një investim prej rreth 200 milionë eurosh. Financimi është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me mbështetje të Bashkimit Evropian në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

“Autostrada Shkup-Bllacë është një nga ato projekte për të cilat qytetarët kanë dëgjuar shumë. Është premtuar në gjashtë palë zgjedhje, por ajo që panë për 16 vite ishte fjalë dhe vetëm fjalë. Kjo nuk ndodhi se projekti nuk ishte i nevojshëm. Përkundrazi, kjo autostradë ka qenë jetike për ekonominë dhe për lidhjen tonë me Kosovën. Por, ajo që mungoi për ta jetësuar këtë projekt kapital ishte vullneti dhe puna. Ata që nuk kishin vullnet tashmë janë e kaluar. Me VLEN-in në institucione, autostrada Shkup–Bllacë ka kaluar nga premtimi në realizim.”, - deklaroi Tair Tairi nga VLEN.

Nga koalicioni bëjnë të ditur se trasa kalon në terren të vështirë malor dhe përfshin pesë tunele të dyfishta me gjatësi totale prej rreth pesë kilometrash, nëntë ura, galeri mbrojtëse dhe objekte të tjera mbështetëse, me qëllim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e lidhjes rrugore me Kosovën.

VLEN-i thekson se projekti ka mbetur për vite me radhë vetëm premtim, ndërsa tani është siguruar financimi, janë nënshkruar kontratat dhe kanë nisur procedurat për realizimin e tij.

Nga ky koalicion shtojnë se do të monitorojnë nga afër zbatimin e projektit, duke kërkuar që punimet të zhvillohen sipas standardeve të larta dhe brenda afateve të përcaktuara.

Sipas tyre, qytetarët tani presin ta shohin autostradën duke u ndërtuar, e jo vetëm të dëgjojnë premtime për të. (Florije Kamberi, TVM2)