Komisioni për Financa dhe Buxhet, shqyrtohen amendamentet
Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet...

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit. Me anë të amendamenteve, opozita kërkoi më shumë mjete për projekte infrastrukturore, mbështetje për bizneset dhe investime në fusha të ndryshme.
Por, amendamentet e propozuara nuk u miratuan, ndërkaq deputetët me kritikë për qasjen dhe përgjigjen e përfaqësuesit qeveritarë.
Deputeti Halil Snopçe me kërkesë që për nevojat e qytetarëve të sigurohet financim i drejtpërdrejtë nga buxheti shtetëror, dhe kjo mos të jetë vetëm garë komunale. Së paku të pranohet një amendament edhe nga deputetët, thotë ai.
“Ne deputetët e kemi zgjedhur Qeverinë, ne deputetët e kemi zgjedhur përfaqësuesin e financave, i cili përdor vetëm një togfjalësh, pra amendamenti nuk pranohet ose herë pas here jep një arsyetim. Ku është problem dhe paradoksi, ne jemi përfaqësues të popullit dhe komunikojmë me popullin. Nuk mundemi ne të referohemi vetëm te komunat dhe komunat të aplikojnë. Po, unë mund të jem parti ndryshe me kryetarin e komunës. Ai ka planet e veta dhe unë kam votuesit e mi dhe kam të drejtë të propozoj. Dje isha prezent gjithë ditën, asnjë amendament nuk u pranua. Ja, sot gjithnjë shkojmë me një shpejtësi të madhe, asnjë amendament nuk pranohet. Me këtë përgjigje, me këtë qasje, nënçmohen qytetarët e RMV-së. Nuk mundesh ti “unblock”, për të gjitha amendamentet përgjigjen e njëjtë. Diçka duhet të pranosh.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Por, deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanoska, duke iu përgjigjur Snopçes mohon se Qeveria nuk po kujdeset për investime komunale, sidomos në qytetin e Gostivarit.
“Në Gostivar ndërtohet. Është e vërtetë se ju keni dorëzuar amendamente por tregoni se në Gostivar ndodh ofensivë ndërtimi. Dhe mos dyshoni se dikush i nënvlerëson qytetarët kur pikërisht kjo qeveri ka ndarë mjete nga ajo kredia hungarez për secilin qytet në bazë të numrit të qytetarëve. Në Gostivar gjatë natës asfaltohen rrugët. Në rregull është të thoni nëse s’ju pranohen amendamentet, por tregoni se çfarë ndodh në Gostivar. Tregoni se ky është rezultat i kësaj qeverie.”, - theksoi Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
Edhe deputeti i BDI-së me kritikë për mospranim të amendamenteve të parashtruara nga përfaqësuesit e popullit.
“Këtu është bërë e mërzitshme. Pas çdo amendamenti që përshkruhet, vjen përgjigja klasike, nuk pranohet, dhe nuk ka arsyetim. Të njëjtin debat e kishim edhe dje.”, - u shpreh deputeti i BDI-së, Musa Xhaferi.
Për ribalancin janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente. Sipas Rregullores së Kuvendit, debati në komision mund të zgjasë deri në dhjetë ditë pune, pas së cilës propozimi do të kalojë në seancë plenare. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
