Kodi zgjedhor, dakordimi pezull, në prag të 15 korrikut
Asnjë lëvizje në drejtim të dakordimit për kodin e ri zgjedhor...

Asnjë lëvizje në drejtim të dakordimit për kodin e ri zgjedhor, pas thirrjes së vazhdueshme të pushtetit që të harmonizojnë qëndrimin në këmbim të votimit të diasporës online ose me postë. Opozita ndahet rreth modelit zgjedhor dhe votimit të diasporës.
VMRO – DPMNE me pretendim të ri se opozita LSDM, BDI dhe Lëvizja E Majta qëllimisht pengojnë kodin e ri, për shkak të rejtingjeve të dobëta që kanë dhe përballjen me humbjet në zgjedhjet e radhës. Madje kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se janë të gatshëm që t’u ofrojnë edhe më shumë para për financimin e fushatave, për të arritur kompromis.
“Çfarë të doni, vendosni në letër, ne do ta pranojmë, vetëm se të përfshihet votimi i diasporës; një njësi, ne e pranojmë një njësi edhe më shumë para, ja më shumë para. Ne do t’i ulim paratë tona, edhe pse jemi parti më e madhe politike, le të jenë paratë për ata, nuk kemi kurrfarë problemi. Çfarë të kërkojnë, ne do ta pranojmë, por për fat të keq ende nuk ka përgjigje nga opozita.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Edhe eurokomisionarja për Zgjerim, Marta Kos, një ditë më parë kërkoi nevojën për konsensus për miratimin e kodit zgjedhor, që vendi të fitojë 4 milionë euro para evropiane në kuadër të Planit të Rritjes. Nga VLEN-i mbeten të përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi.
“Bashkëpunimi me Komisionin Evropian do të vazhdojë të forcohet, ndërsa institucionet do të punojnë me përgjegjësi për realizimin e reformave të nevojshme dhe shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes.”, thonë në një komunikatë për media nga VLEN.
Afati final për dakordimin e kodit zgjedhor është 15 korriku. Nga gjithsej 10 reforma vendi ka përmbushur 9. Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës kërkon që përpos zgjedhjeve presidenciale, diaaspora të votojë online edhe për parlamentaret dhe lokalet në një model zgjedhor me tetë njësi.
Por, BDI-ja pranon formulën një njësi zgjedhore, sikurse edhe E Majta, duke ia shtuar edhe kërkesën për financim të drejtë të partive gjatë fushatës zgjedhore. (Meral Ismaili, TVM2)
